Ky konkurs përfshinte të gjithë rajonin e Styrias dhe në të merrnin pjesë 85 ekipe konkurruese si edhe 60 vullnetarë që garonin individualisht. Konkursi zhvillohej në bazë të grup moshave të konkurrentëve dhe ndahej në tre kategori: Bronz – fëmijë 8-12 vjeç; Silver – të rinj 13 – 17 vjeç dhe Gold – individë. Ekipi i KKSH përbëhej nga 5 të rinj 16 – 17 vjeç dhe për këtë arsye garuan në nivelin Silver të konkursit.
Situatat përbëheshin nga dëmtime të nivelit mesatar në përputhje me programin bazë të ndihmës së parë. Ekipi ynë performoi njohuritë e fituara gjatë trajnimit dhe tërhoqi vëmendjen e gjyqtarëve të cilët e vlerësuan shumë mirë performancën e ekipit shqiptar. Pas 3 situatave të simuluara u bë ceremonia e ndarjes së çmimeve fituese. Vullnetarët tanë u ftuan në skenë nga Zv/Presidenti i KK Austriak dhe u falënderuan për arritjen e tyre.
- Mes pikëve të simulimeve praktike ata do të zinin vendin e dytë, me shumë pak pikë diferencë nga ekipi fitues. Është për t’u vlerësuar fakti se ky është rezultati më i mirë që një ekip i KKSH ka arritur në një konkurs ndërkombëtar.
Kjo eksperiencë u vlerësua maksimalisht, si nga vullnetarët tanë, por edhe nga organizatorët dhe gjyqtarët e KK Austriak. Ata u shprehën se ekipi demonstroi një nivel shumë të lartë dhe shpresojmë që do të vazhdojë ky bashkëpunim edhe në të ardhmen.
- Jemi shumë krenarë për arritjet e vullnetarëve tanë në konkurset ndërkombëtare dhe urojmë sa më shumë çmime të tilla edhe në të ardhmen!