Programi i Mbështetjes Psikosociale fokusohet në mirëqenien psikologjike dhe shëndetin mendor të individëve, grupeve dhe komuniteteve të cënueshme. Ky program kontribuon në promovimin dhe pasjen e një shëndeti më të mirë mendor, në mënyrë që njerëzit të funksionojnë më mirë në shoqëri. Adresimi i nevojave psikologjike është kthyer në një komponent jetësor në ndihmën humanitare. Nevoja për këtë qasje mbështeten në faktin se njerëzit janë më të rrezikuar nga probleme fizike dhe psikologjike jo vetëm gjatë emergjencave por edhe në përditshmëri.

Aktivitetet e programit synojnë të përfshijnë jo vetëm komunitetet, por edhe vullnetarët në mënyrë që t’i përgatisin ata për menaxhim më të mirë të situatave stresuese në punën e përditshme vullnetare. Kjo arrihet përmes një sërë trajnimesh, aktivitetesh gjithëpërfshirëse dhe punës në terren.

  • NE SHOHIM ME PRIORITET EDUKIMIN E TË RINJVE DHE POPULLATËS NË PËRGJITHËSI, NËPËRMJET INFORMACIONIT, TAKIMEVE TË ORGANIZUARA, BISEDAVE, PUBLIKIMEVE DHE VEPRIMTARIVE SENSIBILIZUESE E NDËRGJEGJËSUESE.

Projekti “Parandalimi i HIV/AIDS” ka si qëllim informimin e të rinjve dhe të popullatës në përgjithësi për parandalimin e HIV/SIDA dhe dhënien e informacioneve rreth masave mbrojtëse, simptomave dhe ndikimit psikosocial që sjell kjo sëmundje. Projekti implementohet nga grupe vullnetarësh të trajnuar, të cilët zhvillojnë seanca komunikimi, sensibilizimi, ndërgjegjësimi me grupe bashkëmoshatarësh, shoqëruar këto me materialet e nevojshme didaktike e figurative.

Projekti “Parandalimi i përdorimit të substancave që krijojnë varësi (drogë, duhan, alkool)”. Qëllimi i projektit është rritja e njohurive të të rinjve për të parandaluar përdorimin e substancave që krijojnë varësi dhe sëmundjet e pasojat psikosociale që sjell përdorimi i tyre. Rritja e numrit të adoleshenteve përdorues të substancave që krijojnë varësi si droga, duhani dhe alkooli, e bëjnë gjithnjë e më të nevojshëm këtë projekt. Përkrahja në rritje prej prindërve, mësim-dhënësve dhe psikologëve shkollorë, mbetet element i rëndësishëm dhe lehtësues për vullnetarët e përfshirë në këtë projekt.

Projekti “Higjiena në komunitet” ka si qëllim sensibilizimin e popullsisë për rëndësinë dhe ndikimin në shëndet të higjienës në komunitet nëpërmjet takimeve dhe bisedave me të rinjtë dhe anëtarë e komunitetit për sjellje adekuate ndaj mjedisit dhe rëndësisë së higjienës komunitare në parandalimin e sëmundjeve infektive dhe të shëndetit të popullsisë në përgjithësi

Veprimtaritë realizohen nga vullnetarët e degëve të KKSH, me pjesëmarrjen e komunitetit dhe në bashkëpunim me struktura të pushtetit vendor e të partnerëve të tjerë që veprojnë në të njëjtën fushë në një zonë të caktuar.

Projekti “Higjiena personale” ka si qëllim promovimin e vlerave të higjienës personale dhe përftimi i shprehive praktike për nxënësit e ciklit të ulët (klasat e para, të dyta, të treta, të katërta) dhe fëmijët e grupeve të mëdha të kopshteve gjatë verës për të kuptuar vlerat e higjienës personale për një mirëqenie shëndetësore. Projekti realizohet nëpërmjet bisedave të vullnetarëve të trajnuar ku veç përdorimit të materialeve didaktike e figurative, vlejnë edhe shembujt praktikë.

  • NE KUJDESEMI NË VEÇANTI PËR KATEGORITË MË NË NEVOJË, SIDOMOS PËR TË MOSHUARIT DHE PERSONAT ME AFTËSI NDRYSHE, DUKE PËRMIRËSUAR SHËNDETIN E TYRE TË PËRGJITHËM DHE ATË MENDOR.

Projekti “Forcimi i reziliencës tek të moshuarit dhe personat me aftësi ndryshe në Ballkanin Perëndimor gjatë COVID-19 dhe katastrofave të ardhshme” ka si qëllim të kontribuojë në forcimin e reziliencës së të moshuarve dhe personave me aftësi ndryshe. Një nga fushat e veprimtarisë së këtij projekti është Shëndeti Mendor ku target grupet e projektit marrin pjesë në seanca psikosociale me tematika të ndryshme në varësi të nevojave dhe preferencave të tyre.

Linja e gjelbër 08008833, është një linjë telefonike pa pagesë për të gjithë pa përjashtim. Qëllimi i linjës telefonike është të asistojë me informacione specifike të kërkuara nga telefonuesit dhe të ofrojnë ndihmë të parë psikologjike në distancë. Kjo arrihet nëpërmjet identifikimit të nevojave dhe shqetësimeve të telefonuesit, ofrimit të ndihmës praktike, adresimin dhe referimin e nevojave.

Ndajeni me miqte tuaj: