Programi i Përgatitjes dhe Pergjigjes ndaj Katastrofave është një program thelbësor i Kryqit të Kuq Shqiptar. KKSH është pjesë e sistemit të menaxhimit të emergjencave civile në Shqipëri dhe luan një rol të rëndësishëm mbështetës gjatë dhe pas katastrofave dhe krizave duke shpëtuar jetë, duke reduktuar vuajtjet dhe duke ndërtuar aftësi të qendrueshme të komuniteteve nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe mekanizmave të ndryshëm mbështetës. Veprimtaria e KKSH për menaxhimin e katastrofave bazohet në ligjin “Për Kryqin e Kuq Shqiptar”, Politikën e shoqatës dhe Planin e Shoqatës për raste katastrofash. Në këto dokumete përcaktohet se KKSH është ndihmës i pushtetit publik për çështjet humanitare në vend. Veprimtaria e KKSH është e koordinuar me strukturat shtetërore dhe jo shtetërore, që veprojnë në fushën e ndërhyrjes në raste katastrofash.
- NE KEMI PËR QËLLIM RRITJEN DHE PËRMIRËSIMIN E KAPACITETEVE TË SHOQATËS PËR NJË NDËRHYRJE SA MË EFEKTIVE NË RASTE KATASTROFASH.
Shoqata jonë punon vazhdimisht për të përmirësuar kapacitetet e saj në nivel Selie dhe në nivel Dege. KKSH ka tanimë 30 skuadra të ngritura me vullnetarë në nivel dege, numri i secilës prej tyre ndryshon nga 20-40 vullnetarë. Skuadrat janë trajnuar me njohuritë e nevojshme bazë për të ndërhyre në raste katastrofash. Për komunikim me degët, kemi të instaluar një sistem radio-komunikimi, Ëave- mail që mbulon Selinë dhe 10 Degët qendër qarku, që për momentin është në konservim. Aktualisht Selia komunikon me degët nëpërmjet një rrjeti telefonik fiks dhe celular, dhe e-mail-it. Shoqata ka një sistem magazinimi: magazinë qendrore në Tiranë dhe tre magazina rajonale në degët e KK Shkodër, Korçë, Fier. KKSH është i organizuar për të lëvruar në kohë një stok me ushqime dhe materiale jo ushqimore sipas standardeve të përcaktuara për 2 000 familje për një muaj. Ai ka një skuadër transporti të përbërë nga 3 kamionë dhe disa autovetura në Seli dhe në degë. KKSH ka në qendrën kombëtare të trajnimit në Tiranë dhe 4 qendra rajonale trajnimi në degët e KK Shkodër, Fier, Durrës, Korçë.
- NE PËRGATITEMI VAZHDIMISHT PËR TË PËRBALLUAR FATKEQËSITË.
Programi në mënyrë periodike ofron trajnim profesional të stafit dhe të vullnetarëve të KKSH në fusha të tilla si: informacioni dhe vlerësimi i rreziqeve, ndihma e parë, shëndeti dhe higjena në komunitet, shpërndarja e ndihmave, sensibilizimi i komunitetit, etj. Gjithashtu është në proces rritja e kapaciteteve logjistike e materiale të KKSH për të ndihmuar njerëzit në raste emergjencash. Për një koordinim sa më të mirë me strukturat vendore dhe strukturat tona me bazë në komunitet, degët e KKSH punojnë për të krijuar sa më shumë pika kontakti.
- NE SENSIBILIZOJMË KOMUNITETET PËR RREZIQET E KATASTROFAVE.
Degët e KKSH bëjnë avokatinë te strukturat vendore për të hartuar projekte që çojnë në zvogëlimin e rreziqeve për komunitetet e caktuara. Ato organizojnë takime sensibilizimi me komunitetet nën risk në zonat e tyre.
- NE ORGANIZOJMË NDËRHYRJE PËR TË NDIHMUAR TË PREKURIT NGA KATASTROFAT.
Në raste emergjencash apo në trajnime apo stërvitje, Degët bëjnë monitorimin e situatës, marrin pjesë në Komisionet e Menaxhimit të Emergjencave në nivel vendor, bëjnë vlerësim dëmesh dhe nevojash nëpërmjet rrjetit të vullnetarëve të trajnuar, kërkojnë ndihma tek donatorët lokalë dhe ndihmojnë familjet e prekura, organizojnë dhënien e ndihmës së parë për personat e plagosur apo të lënduar, shpërndajnë ndihma për familjet e dëmtuara në rast operacioni emergjence, etj. Ndërsa Selia vlerëson katafrofën dhe nëse ajo i tejkalon kapacitetet e shoqatës, lëshon Apel ndihme, nëpërmjet Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, organizon shpërndarjen e ndihmave sipas standardeve të paracaktuara në ushqime, batanije, e materiale higjienike, organizon veprimtari me komunitetin për informimin, këshillimit dhe edukimin për emergjenca të ndryshme, veçanërisht në fushën shëndetësore dhe ambientin, në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) ngre Zyrën e Kërkimit. Zyra ka për qëllimi gjetjen e personave të humbur dhe bashkimin e familjeve të ndara nga fatkeqësia.
- NE KEMI NJË STRUKTURË TË MIRË-PËRCAKTUAR PËR RASTE KATASTROFASH.
Në nivel Selie
Këshilli Drejtues i cili drejtohet nga Presidenti, si organ statutor i shoqatës, drejton gjithë veprimtarinë e shoqatës përfshirë edhe përgjigjen për raste katastrofe.
Grupi i drejtimit operacional i cili drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm në përbërje të cilit janë Nënsekretarja e Përgjithshme, Koordinatori i programit për raste katastrofash dhe koordinatorët e programeve sipas natyrës së emergjencës. Grupi ka për detyrë menaxhimin, organizimin, koordinimin e gjithë aktivitetit të KKSH në rast katastrofe.
Në nivel Dege
Këshilli i Degës i drejtuar nga Kryetari i Degës, është struktura e shoqatës në nivel rrethi që drejton veprimtarinë e degës në raste katastrofe. Kjo strukturë drejton aktivitetin e degës më përgjigjeje në rast katastrofe në nivel rrethi. Sekretari i degës është menaxhuesi i veprimtarisë në nivel Dege.
Skuadrat vullnetare për raste katastrofash të përbëra nga 20-40 vullnetarë apo më shumë, të trajnuar në fusha të tilla si : vlerësimi i dëmeve, i nevojave dhe i kapaciteteve, informacioni dhe raportimi, ndihma e parë, higjiena dhe shëndeti, sensibilizimi i komunitetit për katastrofat, shpërndarja e materialeve dhe logjistika, etj.
Për një përgjigje sa më të mirë në raste katastrofash degët e KKSH i trajnojnë dhe organizojnë vullnetarët e tyre sipas fushave kryesore të ndërhyrjes. Grupet kryesore janë: Grupi i informacionit dhe vlerësimit të nevojave, Grupi i Ndihmës së Parë, Grupi i shpërndarjes së ndihmave materiale, Grupi i shëndetit, Grupi i Zyrës së kërkimit, Grupi i sensibilizimit të komunitetit.