LIGJ Nr.7864, datë 29.9.1994 (Ndryshuar me ligjin nr. 17/2021, datë 8.2.2021)

PËR KRYQIN E KUQ SHQIPTAR
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:
Neni 1

(ndryshuar me ligjin nr. 17/2021, datë 8.2.2021)
1. Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare, e krijuar më 4 tetor 1921, e njohur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) në vitin 1923 dhe e pranuar po këtë vit në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK).
2. Kryqi i Kuq Shqiptar e ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë të pavarur në bazë të Parimeve Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, që janë: humanizmi, neutraliteti, paanësia, pavarësia, vullnetarizmi, uniteti, universaliteti, si dhe në respektim të Konventës së Gjenevës të datës 12 gusht 1949, ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957, të Protokolleve shtesë të Konventës së Gjenevës të datës 10 qershor 1977, ratifikuar nga Republika e Shqipërisë në datën 16 qershor 1993.
3. Kryqi i Kuq Shqiptar është ndihmës i organeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal për çështjet humanitare në mbarë vendin.
4. Në respekt të Konventave të Gjenevës, të protokolleve të tyre shtesë dhe të parimit themelor të Unitetit, nuk mund të krijohen dhe të njihen në Republikën e Shqipërisë shoqata ose fondacione të tjera që përdorin emrin dhe emblemën e ndonjërit prej komponentëve të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (Kryqi i Kuq/Gjysmëhënë e Kuqe/Kristal i Kuq), përveç Kryqit të Kuq Shqiptar.

Neni 2
(shfuqizuar me ligjin nr. 17/2021, datë 8.2.2021)

Neni 3
(shfuqizuar me ligjin nr. 17/2021, datë 8.2.2021)

Neni 4

(ndryshuar me ligjin nr. 17/2021, datë 8.2.2021)
1. Kryqi i Kuq Shqiptar e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të statutit që miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e tij.
2. Çdo ndryshim në statutin e Kryqit të Kuq Shqiptar dërgohet për mendim pranë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe dhe miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Kryqit të Kuq Shqiptar vetëm pasi të jenë marrë në konsideratë sugjerimet e tyre.

Neni 5
Kryqi i Kuq Shqiptar gëzon të drejtën e përdorimit të emblemës në përputhje me Konventat e Gjenevës të 10 gushtit 1949 dhe Protokollet shtesë të 10 qershorit 1977. Mënyra e përdorimit të saj rregullohet me ligj.

Neni 6
Kryqi i Kuq Shqiptar është person juridik. Ai mund ta ushtrojë veprimtarinë ekonomike për të siguruar burimet fmanciare për përballimin e veprimtarive të tij humanitare.

Neni 7
Për programe të veçanta Këshilli i Ministrave mund të mbështetë veprimtaritë humanitare të Kryqit të Kuq me fonde buxhetore.

Neni 8

(ndryshuar me ligjin nr. 17/2021, datë 8.2.2021)
Kryqi i Kuq Shqiptar pranon kontribute të pakufizuara në çdo formë nga ligje të veçanta, nga individë dhe/ose persona fizikë e juridikë shqiptarë ose të huaj dhe organizon mbledhjen e tyre brenda vendit.

Neni 9
Kryqi i Kuq Shiptar përjashtohet nga pagimi i çdo lloj tatimi a takse.

Neni 10
Dekreti nr.2254, datë 30.4.1956, dhe nr.4112, datë 7.3.1966, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 11
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr. 945, datë 17.10.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

Ndajeni me miqte tuaj: