KRYQI I KUQ SHQIPTAR
Ne jemi shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri e themeluar më shumë se njëqind vjet më parë më 4 tetor të vitit 1921. U njohëm nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në vitin 1923, në një kohë që ekzistonin vetëm 37 Shoqata të Kryqit të Kuq në botë. Që nga ajo kohë, Kryqi i Kuq Shqiptar është anëtar i Federatës Ndërkombëtare (në atë kohë Liga) e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Me një aktivitet të lavdërueshëm para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, Kryqi i Kuq Shqiptar krijoi profilin e tij si një Shoqatë moderne e Kryqit të Kuq falë një bashkëpunimi të rregullt me shoqatat më të zhvilluara të Kryqit të Kuq të asaj kohe. Pas luftës shteti mbështetur në ideologjinë e kohës, reformoi Kryqin e Kuq Shqiptar, duke i hequr një pjesë të aktiviteteve të tij dhe duke e futur në vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë me një organikë të posaçme, në mënyre që KKSH të vazhdonte veprimtarinë e tij në fushën e propagandës shëndetësore me realizimin e botimeve shëndetësore, mbajtjen e kontakteve me strukturat e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, me shoqatat simotra, me bashkëatdhetarët në mërgim, etj.
Në fillim të viteve ’90, Kryqi i Kuq Shqiptar rifillon aktivitetin e tij tradicional duke krijuar një bazë të plotë ligjore si dhe një strukturë organizative, e cila është konsoliduar vazhdimisht. Shoqata jonë Kombëtare u njoh nga Kuvendi i Shqipërisë si një organizatë e pavarur humanitare vullnetare në bazë të ligjit nr. 7864 më 29 shtator 1994. Bazuar në Art. 1 të Ligjit, Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare, e cila i kryen veprimtaritë e saj në mënyrë autonome, në përputhje me Parimet Themelore të Lëvizjes Humanitare Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 – ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 – dhe Protokollet Shtesë të 10 Qershor 1977 – ratifikuar nga Republika Shqiptare më 16 qershor 1993. Kryqi i Kuq Shqiptar është një ndihmës i autoriteteve publike në fushën humanitare në të gjithë vendin.
Ne kemi dëshmuar aftësinë tonë në organizimin e operacioneve të ndihmës humanitare gjatë krizave dhe fatkeqësive që kanë ndodhur në vendin tonë duke mbështetur një numër të konsiderueshëm njerëzish të dëmtuar. Ne jemi aktivë në ofrimin e mbështetjes sociale dhe shëndetësore për komunitetet në nevojë duke kontribuar në reduktimin e vulnerabilitetit. Ne jemi gjithashtu të angazhuar për të përcjellë shqetësimet dhe interesat e njerëzve në nevojë pranë autoriteteve vendimmarrëse.
Ne kemi zhvilluar Shoqatën tonë Kombëtare duke rritur praninë e saj brenda vendit. Ne kemi ndërtuar dhe zgjeruar rrjetin tonë të vullnetarëve, kemi rritur nivelin e transparencës, duke forcuar përgjegjshmërinë, duke arritur kështu që të jemi sa më pranë njerëzve në nevojë. Për të rritur efektivitetin e shërbimeve tona, ne kemi punuar vazhdimisht për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe për zgjerimin e bashkëpunimit. Përpjekjet tona të përbashkëta bashkepunuese kanë patur një ndikim pozitiv në jetën e njerëzve në nevojë, prandaj synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të tërheqim më shumë vëmendje ndaj nevojave humanitare dhe programeve të zhvillimit në vendin tonë.
HISTORIK
- Vitet 1914-1918 Janë vitet kur sëbashku me ushtritë ndërluftuese shfaqen dhe organizmat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të ushtrive ndërluftuese.
- Viti 1919- Nis veprimtarinë e tij humanitare në Shqipëri një mision i Kryqit të Kuq Amerikan, kryesisht në fushën e shëndetit, atë sociale dhe të arsimit.
- Viti 1920- Shpërndahen ndihma të Kryqit te Kuq Amerikan nga prapavija e ushtrisë shqiptare e asaj kohe.
- Viti 1921- Më 4 tetor krijohet Shoqata e Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH).
- Viti 1922- Aprovohet Statuti i KKSH-së. Botohet Revista e tij. Shoqata merr përsipër “Strehën vorfnore”. Çdo vit këtu jetonin dhe mësonin me qindra fëmijë nga shtresat më të varfra të popullit. KKSH merr gjithashtu në patronazh Dispanserinë Qendrore, e cila ndihmoi mjaft refugjatët e ardhur nga vendet fqinjë.
- Viti 1923- KKSH njihet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit te Kuq. Po atë vit bëhet anëtar i Ligës (sot Federatës) Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë kështu e 38-ta shoqatë e themeluar deri në atë kohë.
- Viti 1926- Krijohet Këshilli Kombëtar i Kryqit të Kuq Shqiptar. Shoqata shtrihet edhe në rrethe të tjera të vendit. Ajo hap shkollën e infermiereve. Infermieret e përgatitura në këtë shkollë, zhvilluan një shërbim të gjerë falas për shtresat më të varfra.
- Viti 1927- Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Francez, hapet Këshillimorja dhe pikat e shpërndarjes së qumështit për fëmijët e keq ushqyer. Veprimtaritë e KKSH mbështeteshin nga ndihmat që vinin nga populli, bamirës të ndryshëm, por dhe nga shqiptarët e diasporës dhe në veçanti, Amerika.
- Vitet 1939 – 1944 Gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahas veprimtarive të tjera, veprimtaritë kryesore të Kryqit të Kuq Shqiptar, ishin krijimi i një Spitali fushor në frontin e luftës Italo-Greke, hapja e nje Zyre Kërkimi dhe ndihma për popullsinë e zhvendosur si pasojë e Frontit të Luftës Italo-Greke.
- Viti 1945 – Në vitet e para të pasluftës, veprimtaritë e Shoqatës kishin të bënin me ndihma në ushqime, veshmbathje dhe atje ku mundej, edhe në të holla, për të gjithë ata që ishin dëmtuar më shumë nga lufta.
- Ndërkohë, filloi interesimi për pleqtë e vetmuar dhe pa përkrahje, të cilët u vendosën nëpër azilet që u hapën në disa qytete kryesore të vendit.
- Viti 1946 – U ngritën Kurset e ndihmës së shpejtë në qendrat e punës dhe kantieret e ndërtimit. Në hekurudhën Durrës – Elbasan, Kryqi i Kuq Shqiptar hapi një spital me 50 shtretër në ndihmë të vullnetarëve që punonin në ndërtimin e saj.
- Viti 1947 U hap një çerdhe me 20 shtretër për të lehtësuar sadopak punën e grave, ndërkohë që hapet një azil pleqsh në Shkodër, një çerdhe në Korçë, si dhe pesë shtëpi fëmijësh jetimë me një kapacitet prej 750 vende.
- Vitet 1950 – 1969 Pak nga pak Kryqi i Kuq Shqiptar filloi të vihet nën influencën e shoqatave me të njëjtin emër të vendeve të lindjes, duke humbur shumë nga veprimtaritë e mirëfillta të traditës, për t’u kthyer në një shoqatë propagande thjesht shëndetësore, plotësisht e varur nga shteti.
- Më 22.05.1957, qeveria shqiptare dorëzoi pranë qeverise zvicerane instrumentet e ratifikimit të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949, të cilat shoqëroheshin nga rezerva të rëndësishme.
- Pas vitit 1969, kur shteti mori realisht pjesën dërrmuese të veprimtarisë së Shoqatës, ndërpriten të gjitha veprimtaritë praktike dhe Kryqi i Kuq Shqiptar pushon së funksionari.
- Vitet 1969 – 1990 Shteti mbështetur në ideologjinë e kohës, reformoi Kryqin e Kuq Shqiptar, duke i hequr një pjesë të aktiviteteve të tij dhe duke e futur në vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë me një organikë të posaçme, në mënyre që KKSH të vazhdonte veprimtarinë e tij në fushën e propagandës shëndetësore me realizimin e botimeve shëndetësore, mbajtjen e kontakteve me strukturat e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, me shoqatat simotra, me bashkëatdhetarët në mërgim, etj.
- Viti 1989- Kryqi i Kuq Shqiptar rifillon sërish aktivitetin pas 22 vjetësh. Si një shoqatë e re, ajo krijon bazën e saj ligjore të plotë si dhe një strukturë organizative në forcim të vazhdueshëm.
Kryqi i Kuq Shqiptar numëron 39 degë të shtrira në mbarë vendin. Ai ka arritur një zhvillim të mirë, duke u bërë shoqata humanitare më e madhe në vend. Aktualisht vepron në përmbushje të Planit Strategjik 2020-2025 me qëllim:
(I) Vendosjen e njerëzve në qendër të ndryshimit për të krijuar mundësi konkuruese dhe për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve.
(II) Reflektimin mbi vitet e mëparshme për të ecur përpara dhe për të ndërtuar të ardhmen nëpërmjet investimit në zhvillimin e shoqatës tonë kombëtare.
(III) Shërbimin për të mbështetur njerëzit në nevojë dhe të goditur nga fatkeqësitë, duke i ndihmuar që të ruajnë shëndetin dhe të përballojnë sfidat psiko-sociale.