Kryqi i Kuq u krijua për të ndihmuar njerëzit në nevojë në fushën e betejës:
Henry Dunant është themeluesi i Kryqit të Kuq. Ai ishte një bisnesmen nga Gjeneva që u bë rastësisht dëshmitar i betejës së Solferinos në Itali, në vitin 1859. Tronditja e tij qe e thellë kur pa shumë ushtarë të plagosur që pas betejës, ishin braktisur në fatin e tyre. Shumë prej tyre mund të shpëtonin prej vdekjes në qoftë se do t’u jepej ndihmë. Mirëpo personeli sanitar që dispononin ushtritë në atë kohë, ishte shumë më i vogël se ç’nevojitej. Numri i viktimave të betejës së Solferinos arrinte në 40.000 vetë. Dunant bëri ç’mundi për t’u përkujdesur për të plagosurit atje. Por kaq s’mjaftonte. Pas kthimit në Gjenevë ai shkruan një libër “Një kujtim nga Solferino”, në të cilin formuloi dy propozime që shënojnë në të njëjtën kohë, edhe lindjen e idesë së Kryqit të Kuq.
Propozimi i parë që bëri Henry Dunant, ishte krijimi në çdo vend i një shoqate, e cila do të trajnonte që në kohë paqeje, vullnetarë për të ndihmuar personelin mjekësor të forcave të armatosura në rast se do të shpërthente lufta. Dhe duke qenë se të formosh këta vullnetarë në dhënien e ndihmës nuk mjafton në vetvete, por duhet gjithashtu që ata të lejohen të jenë pranë të plagosurve në fushën e betejës, ai bëri propozimin e dytë sipas të cilit, shtetet duhet të hartonin dhe pranonin rregulla të zbatueshme për të gjitha konfliktet e armatosura ndërkombëtare, rregulla të cilat do t’u siguronin ndihmë dhe mbrojtje luftëtarëve të plagosur dhe do të mbronin personat e ngarkuar për t’u kujdesur për ta.
Sot, më shumë një shekull e gjysëm më vonë, 192 vende në të gjithë botën, kanë një shoqatë kombëtare të Kryqit të Kuq apo të Gjysmëhënës së Kuqe. Ato numërojnë me miliona vullnetarë të trajnuar prej tyre në dhënien e ndihmës. Ndërsa që nga marrëveshja e parë që bënë shtetet më 1864 që ishte një traktat që përmblidhte rregullat për të cilat shkruante Dunanti dhe që u bë i njohur nën emrin Konventa e Parë e Gjenevës, sot ekzistojnë një mori marrëveshjesh në këtë fushë që formojnë atë që njihet me emrin e Drejta Ndërkombëtare Humanitare.
Identifikimi me lehtësi i personave që japin ose marrin ndihmë në kohë lufte me qëllim që të mbrohen prej palëve në konflikt, është jetik. Për këtë arsye u vendos që të përdorej e njëjta shenjë mbrojtëse dhe identifikuese nga të gjitha vendet dhe në të gjitha konfliket: një kryq i kuq mbi një fushë të bardhë. Prej kësaj embleme morën më vonë edhe emrin shoqatat e ndihmës, ato u quajtën shoqata të Kryqit të Kuq. Rrjedha e historisë e desh që vendet e botës arabe dhe të besimit mysliman ta zëvendësonin atë me një simbol tjetër: një Gjysmëhënë e Kuqe në një fushë të bardhë.
Këto dy simbole kanë sot të njëjtin qëllim dhe të njëjtën vlerë. Që të dyja ato shpalosin neutralitetin dhe paanësinë, parime të domosdoshme për të siguruar besimin e të gjithë luftëtarëve dhe të të gjithë viktimave dhe për t’u lejuar mbajtësve të tyre, të identifikohen dhe të ndihmojnë viktimat në vendin ku ato janë goditur.
Në rrjedhën e viteve, Konventa I e Gjenevës u zgjerua për t’iu përshtatur nevojave në ndryshim të luftës moderne. U nënshkruan njëra pas tjetrës edhe tre Konventa të tjera, të cilat bëjnë fjalë për viktima të tjera të ndryshme nga të plagosurit në fushën e betejës, siç janë të mbyturit në det, robërit e luftës dhe popullsia civile. Këto katër Konventa, të rishikuara më 1949 dhe të nënshkruara nga pothuajse të gjitha shtetet e globit, njihen si katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949.
Më 1977 u miratuan Protokollet shtesë për të plotësuar katër Konventat e Gjenevës duke u dhënë kështu një mbrojtje më të gjerë viktimave të konflikteve, si atyre ndërkombëtare ashtu dhe atyre lokale. Thelbi i konventave dhe protokolleve shtesë të Gjenevës, është mbrojtja e dinjitetit të njeriut, dinjitet që duhet të respektohet në çdo kohë. Kjo duhet bërë pa asnjë lloj diskriminimi për të zbutur vuajtjet e atyre të cilët nuk marrin pjesë direkt në konflikt apo që kanë dalë jashtë luftimit për arsye sëmundjeje, plagosjeje ose burgosjeje.
Që nga akti i realizuar më 1859 në fushën e betejës së Solferinos – ndihmë qënies njerëzore që vuan pa dallim kombësie – vepra e Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe është zhvilluar gjatë viteve duke përfshirë veprimtari të shumta, shpesh të krijuara nga një përvojë e gjatë, nganjëherë të improvizuar me ngut në terrene nga më të ndryshmet ,por gjithmonë të mbështetura në disa vlera humanitare. Këto vlera shprehen në mënyrë të përmbledhur në shtatë parimet themelore të Lëvizjes, të cilat janë baza e veprimtarisë së shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në çdo kohë. Këto parime janë: Humanizmi, Paanësia, Neutraliteti, Pavarësia, Vullnetarizmi, Uniteti dhe Universaliteti.