Programi për Marrëdhëniet me Publikun mundëson një komunikim të fortë dhe koherent, të brendshëm dhe të jashtëm, për të promovuar punën e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe degëve të tij si dhe për të nxitur aksion humanitar në shkallë kombëtare.

Ai mbështetet në Strategjinë 2025 të Kryqit të Kuq Shqiptar dhe veçanërisht në qëllimin e dytë strategjik: “Punojmë mbi arritjet e mëparshme për të ecur përpara dhe për të ndërtuar të ardhmen nëpërmjet investimit në zhvillimin e shoqatës tonë kombëtare”.

  • SHPËRNDARJA E INFORMACIONIT PËR VULLNETARËT, PARTNERËT DHE PUBLIKUN

Të përcjellim te publiku një informacion të dendur, të përditësuar, cilësor për publikun e gjerë dhe kategori të caktuara të interesuara, veçanërisht të rinjtë.

Nëpërmjet Medias Sociale dhe llogarive zyrtare të shoqatës ne mundësojmë shpërndarjen e informacionit në kohë reale dhe me efikasitet të lartë. Aktualisht disponojmë llogari zyrtare në platformat Facebook, Instagram, Twitter, LinkedIn dhe Youtube. Programi ka bërë kujdes për një pasqyrim sa më të mirë në median sociale të veprimtarive tradicionale kombëtare por edhe të aktiviteteve të një natyre të veçantë. Nga ana tjetër në rrjetet sociale nuk ka munguar roli sensibilizues i shoqatës duke shpërndarë në periudha të ndryshme informacione të rëndësishme për komunitetin (rëndësia e vullnetarizmit, rëndësia e dhënies së ndihmës së parë, mbrojtja nga pandemia, mbrojtja nga i nxehti gjatë periudhave të verës, mbrojtja nga përmbytjet në fundvit, etj).

Programi ka një komunikim të mirë me median vizive dhe atë të shkruar në vend. Ata tregojnë vazhdimisht gatishmërinë e tyre për të mbështetur KKSH në pasqyrimin e aktiviteteve të rëndësishme. Gjithashtu edhe koordinatorët e programeve kanë marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme në studio televizive për të folur rreth aktiviteteve të tyre sipas rastit.

Revista e Kryqit të Kuq Shqiptar është një botim historik, mbi 100 vjeçar, i shoqatës. Programi sigurohet që Revista të përmirësohet vit pas viti, të shtohet numri i artikujve të dobishëm për dashamirësit tanë dhe të botohet periodikisht. Ajo shpërndahet rregullisht mes degëve, bashkëpunëtorëve, donatorëve dhe institucioneve partnere.

Raporti Vjetor përmbledh veprimtarinë një vjeçare të programeve të KKSH dhe punës së shoqatës në drejtime të ndryshme. Nëpërmjet këtij botimi synojmë transparencën dhe informimin e plotë të publikut.

  • PROMOVIMI I VLERAVE HUMANITARE, AKTIVITETEVE TË KOMPONENTËVE TË LËVIZJES NDËRKOMBËTARE TË KRYQIT TË KUQ DHE GJYSMËHËNËS SË KUQE SI DHE TË DREJTËS NDËRKOMBËTARE HUMANITARE.

Të promovojmë kulturën e dialogut si një mjet për krijimin e një shoqërie ndërkulturore dhe, në mënyrë aktive, të promovojmë njohuritë dhe qëndrimet aktive ndaj jetës nëpërmjet parimeve dhe vlerave të Kryqit të Kuq.

Selia e shoqatës shfrytëzon të gjitha kanalet e komunikimit për të promovuar vlerat humanitare, Parimet Themelore, historikun e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe atë të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ne botojmë vazhdimisht fletëpalosje, broshura dhe materiale promocionale për të informuar komunitetin dhe përfituesit tanë rreth këtyre vlerave. Gjithashtu edhe degët e KKSH planifikojnë aktivitete informuese çdo muaj për Vlerat Humanitare dhe Parimet Themelore.

Zbatimi i të drejtës ndërkombëtare humanitare (DNH) si një instrument juridik ndërkombëtar i zbatueshëm në rastet e konflikteve të armatosura për të zvogëluar pasojat e tyre. Kjo është një çështje që komuniteti ndërkombëtar dhe shtetet i kushtojnë vëmendje të veçantë. Promovimi, zbatimi dhe implementimi i të drejtës ndërkombëtare humanitare është obligim ligjor dhe statutor i KKSH. Kryqi i Kuq Shqiptar, si Shoqatë Kombëtare dhe anëtare e 38-të e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ka zhvilluar herë pas here aktivitete në fushën e informimit dhe promovimit të instrumenteve ndërkombëtare (Konventave të Gjenevës të vitit 1949, Protokollet shtesë të vitit 1977) dhe dokumentet themelore të shoqatës si  Ligji për KKSH, Ligji për Emblemën dhe Statuti i Kryqit të Kuq Shqiptar.

  • PASURIMI DHE RUAJTJA E HISTORISË SË KRYQIT TË KUQ SHQIPTAR

Programi punon në mënyrë të vazhdueshme për të pasuruar historikun dhe arkivën mbi 100 vjeçare të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ai hulumton fakte historike që lidhen me veprimtarinë e shoqatës që prej vitit 1921 e deri në ditët e sotme.

Me rastin e 100 vjetorit të krijimit, shoqata përuroi Muzeun Historik të saj, ku është pasqyruar pjesa kryesore e fakteve historike të Kryqit të Kuq Shqiptar. Muzeu vizitohet vazhdimisht nga vullnetarët, partnerët dhe dashamirësit e KKSH.

Ndajeni me miqte tuaj: