KRYQI I KUQ SHQIPTAR
Është shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri. Ai është themeluar më 4 tetor 1921 dhe është njohur zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në vitin 1923. Që nga ky vit është anëtar i Federatës (në atë kohë Ligës) së Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë kështu shoqata e 38-të e themeluar deri atëherë. Në këtë mënyrë Kryqi i Kuq Shqiptar është pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Sipas nenit 1 të Ligjit Nr.7864 për Kryqin e Kuq Shqiptar, të miratuar nga Parlamenti Shqiptar më datë 29.9.1994, Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare që e ushtron veprimtarinë në mënyrë të pavarur në bazë të parimeve themelore të Lëvizjes ndërkombëtare humanitare të Kryqit të Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 – ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 – dhe Protokolleve shtesë të 10 qershorit 1977 – ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 16 qershor 1993. Ai është ndihmës i organeve të pushtetit për çështjet humanitare në mbarë vendin.
VIZIONI
Kryqi i Kuq Shqiptar, së bashku me komunitetet e fuqizuara dhe në emër të humanizmit dhe të solidaritetit, kontribuon për një të ardhme më të mirë, ku të gjithë janë të përfshirë me dinjitet.
MISIONI
Kryqi i Kuq Shqiptar, nëpërmjet konsolidimit dhe fuqizimit të veprimtarisë së tij humanitare, është i përkushtuar të veprojë në kohën e duhur dhe në mënyrë pro aktive, për të parandaluar dhe për të zbutur, me dinjitet, vuajtjet e komuniteteve më në nevojë, duke i përfshirë ato në ndërtimin e aftësive të qëndrueshme ripërtëritëse dhe duke promovuar vlerat humanitare.
Falë bujarisë së njerëzve, Kryqi i Kuq Shqiptar ndihmon në përmirësimin e jetës së atyre që ndodhen në kushte të vështira ekonomike dhe sociale në të gjithë Shqipërinë.
Në qoftë se do të donit të jepnit ndihmesën tuaj, qoftë duke kontribuar me donacione, qoftë duke u bërë anëtar dhe vullnetar i Kryqit të Kuq Shqiptar, jeni të lutur të kontaktoni me degën e Kryqit te Kuq Shqiptar në qytetin ose në zonën ku ju banoni.