Vazhdon me ritme të larta, ndihma e Kryqit të Kuq Shqiptar për të prekurit nga tërmeti

Komunikatë Shtypi
Datë 27 Dhjetor 2019

Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, dëmet e të cilit ishin mjaft të rënda, Kryqi i Kuq Shqiptar vazhdon të japë ndihmën e tij për të prekurit nga tërmeti.
Falë degëve të tij të shtrira në të gjithë vendin, që në orët e para të pas tërmetit, më shumë se 350 staf e vullnetarë, veçanërisht në Durrës, Tiranë e Krujë u angazhuan menjëherë për të ndihmuar të prekurit, fillimisht me ndihmë të parë psikologjike dhe më pas duke shpërndarë ndihma konkrete sipas nevojës si ujë, ushqim i ngrohtë, veshmbathje, artikuj higjienike, etj., Qendrat sociale të Degëve të Kryqit të Kuq në Durrës dhe Tiranë u vonë në gatishmëri dhe shpërndanë çdo ditë rreth 200- 300 vakte të ngrohta për personat e akomoduar në qendrat e organizuara për të pastrehët.
Në këtë situatë, Kryqi i Kuq Shqiptar pati solidaritetin e menjëhershëm të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, Federatës ndërkombëtare të KK dhe të GjK të rajonit dhe më gjerë; të donatorëve bilateralë si USAID, SHELL, ECHO, Lufthansa, etj. si dhe kontribute të drejtpërdrejta nga individë dhe sipërmarrje të ndryshme nga mbarë bota.
Me kalimin e fazës së parë të kësaj emergjencë madhore, Kryqi i Kuq Shqiptar ka kaluar në zbatimin në praktikë të Apelit të Ndihmës të Federatës Ndërkombëtare, në shumën prej 3 milion franga zvicerane. Kjo ndihmë synon që ndihmohen:
– rreth 2000 familje të prekura nga tërmeti (10 000 persona) për një periudhë 2-3 muaj me një paketë ndihme mujore standard të Kryqit të Kuq (20.5 kg ushqim bazë + 20 kg miell, një kit higjienike familjar mujor dhe 5 batanije;
– rreth 700 familjet më të prekura nga tërmeti me mbështetje financiare për një periudhë 4-5 mujore;
– të realizojë një mbështetje psiko-sociale për familjet e prekura (në shkolla dhe komunitet) si dhe ndërgjegjësim për reduktimin e rreziqeve nga tërmeti.
Realizimi i këtij operacioni të gjerë ndihme po realizohet në bashkëpunim me Pushtetin Vendor.
Falë kontributit të përditshëm të vullnetarëve dhe të donatorëve, deri më datë 27 dhjetor është arritur të shpërndahen në Durrës, Tiranë/Vorë, Krujë, Laç. Lezhë, 1884 pako ushqimore baza familjare, 34 ton miell, 1800 kite higjienike familjare, 10100 batanije, 120 çadra, dhe rreth 12000 vakte ushqimore.

Operacioni i ndihmës vazhdon. Vetëm në dy ditët e fundit janë realizuar shpërndarje të ndihmave për 330 familje të prekura nga tërmeti në Durrës, Shijak dhe Lac falë mbështetjes nga USAID dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Katarit.

Kryqi i Kuq Shqiptar

Për më shumë informacion:
Zamir Muça, Koordinator për marrëdhëniet me publikun,
mob. 0694092740, email: zmuca @kksh.org.al
Fatos Xhengo, Koordinator për përgatitjen dhe ndërhyrjen në raste katastrofash,
mob. 0692029142. email: fxhengo@kksh.org.al

Ndajeni me miqte tuaj: