Kryqi i Kuq Shqiptar shpërndan ndihma të tjera në Tiranë dhe Fier
Komunikatë Shtypi
Tiranë më 2.12.2017
Kryqi i Kuq Shqiptar ndjek me vëmendje dhe nga afër zhvillimin e situatës në vend të krijuar nga përmbytjet, të shtrirë tashmë vecanërisht në Jug të vendit në Prefekturat e Vlorës dhe Fierit.
Degët e KKSH në këto zona kanë mobilizuar vullnetarët dhe po bashkëpunojnë me strukturat e pushtetit vendor, Bashkitë dhe Prefekurat përkatëse me synim për të ndihmuar familjet e evakuara dhe të dëmtuara. Më konkretisht, me datë 2 dhjetor Kryqi i Kuq Shqiptar:
- Ka ndjekur zhvillimin e situatës së përmbytjeve nëpërmjet degëve të Kryqit të Kuq dhe ka informuar strukturat përkatëse të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq në Gjenevë dhe Budapest me qëllim organizimin e ndihmës për familjet në nevojë. Sic është bërë e ditur, Kryqi i Kuq Shqiptar ka lëshuar një apel ndihme pranë Federatës ndërkombëtare të KK dhe të GjK për të ndihmuar 2000 familje me artikuj ushqimore dhe joushqimore për një periudhë 1 mujore. Këtij qëllimi i ka shërbyer dhe një mision monitorimi mbi nevojat në prefekturën e Fierit dhe atë të Vlorës;
- Po sot, me kërkesë të Bashkisë Tiranë dhe vlerësimit të nevojave, Dega e KK Tiranë ka shpërndarë ndihma për 40 familje të evakuuara për të cilat janë shpërndarë : 800 kg miell, dhe 40 pako me ushqime bazë: makarona 160 kg, vaj 160 lt, fasule 160 kg, oriz 160 kg, sheqer 160 kg, kripë 20 kg; batanije 160 copë dhe kite higjienike familjare 40 copë;
- Në bashkëpunim me Prefekturën Fier, Dega e KK Fier mbas vlerësimit të nevojave po shpërndarë 250 bidona ujë (5litër) në Ferras;
Në bashkëpunim me Bashkitë Krujë dhe Vlorë është koordinuar dhe organizuar punë për të shpërndarë nesër ora 10.00 ndihma ushqmore dhe jo ushqimore respektivisht për 50 familje në Fushë-Krujë dhe 70 familje në Vlorë (Novoselë).
Degët e Kryqit të Kuq po vlerësojnë situatën në vend dhe në bashkëpunim me autoritetet vendore, do të japin ndihmesën e tyre në vazhdim për t’ju gjendur pranë familjeve të prekura dhe të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore.
Kryqi i Kuq Shqiptar