Më 6 Shkurt 2023 Turqia dhe Siria u prekën nga një tërmet katastrofik, me magnitude 7.8 i shkallës Rihtër, i cili ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme si në jetë njerëzish ashtu edhe në infrastrukturë. Deri tani përllogariten rreth 36.000 jetë të humbura dhe mijëra të plagosur si dhe rreth 12.000 ndërtesa dhe infrastrukturë të shkatërruar.
Kryqi i Kuq Shqiptar, si pjesë e Lëvizjes më të madhe humanitare ndërkombëtare që synon të mbështesë njerëzit më në nevojë, është duke ndjekur me vëmendje emergjencën e krijuar dhe pasojat tragjike mbi popullsinë. Shoqatat tona simotra të Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Gjysmëhënës së Kuqe Siriane janë organizuar menjëherë për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve të tyre, edhe pse nevojat vetëm rriten minutë pas minute.
- Në Turqi vullnetarët janë vendosur në dhjetë provincat e prekura të rajonit jugor dhe juglindor duke shpërndarë ushqime dhe artikuj të tjerë bazikë si tenda dhe batanie për të ndihmuar personat e lënduar dhe të evakuuar.
- Në Siri vullnetarët janë duke mbështetur ekipet e kërkim shpëtimit, duke dhënë ndihmën e parë dhe duke transportuar personat e lënduar drejt spitalit.
Edhe Kryqi i Kuq Shqiptar solidarizohet me punën vetëmohuese të kolegëve tanë. Në këtë kuadër kemi nisur një fushatë për mbledhje fondesh në mbështetje të Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Gjysmëhënës së Kuqe Siriane për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së prekur nga tërmeti shkatërrimtar.
Kryqi i Kuq Shqiptar ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e veta njerëzore në të 39 degët e tij në të gjithë vendin për të sensibilizuar komunitetet për të dhuruar vlera monetare me qëllim që sado pak, edhe Shqipëria të kontribuojë në lehtësimin e vuajtjeve njerëzore që vijnë prej kësaj katastrofe të përgjakshme. Shumat e mbledhura nga kjo fushatë do t’i dërgohen komponentëve të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe që veprojnë në Turqi e Siri, të cilët janë angazhuar në ndihmë të popullatës së prekur.
Me këtë rast Kryqi Kuq Shqiptar fton median që të japë kontributin e saj për rritjen e ndërgjegjësimit për qytetarët që të tregojnë solidaritetin e tyre dhe t’i bashkohen të shumtë, kësaj iniciative të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Jep edhe ti kontributin tënd në www.kksh.org.al/dhuroni/ , ose në çdo degë të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Për më shumë informacion, kontaktoni :
Cristian Cura, Koordinator i Marrëdhënieve me Publikun dhe/ose
Fatos Xhengo, Koordinator i Programit për Raste Katastrofash