22 dhjetor 2017
KKSH vijon shpërndarjen ndihmave për familjet e prekura nga përmbytja e ndodhura në fillim të muajit Dhjetor 2017. Në ndihmë të Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH) kanë shprehur solidaritetin një numër në rritje të shoqatave simotra të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, duke kontribuar me donacione të ndryshme në ndihmë familjeve të prekura.
Një nga këto shoqata është Kryqi i Kuq Italian, që ka shprehur solidarizimin e tij nëpërmjet Presidentit të tij dhe njëkohësisht dhe President i Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, duke sjellë donacione në materiale higjienike, rroba dimërore, dyshekë dhe materiale të tjera, që do të shpërndahen në ditët në vijim.
Informojmë se KKSH ka marrë mbështetje dhe donacione nga shoqata të ndryshme për të ndihmuar familjet e prekura. Kështu:
- Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka sjellë 1100 batanije, 750 kite higjienike dhe 1000 pako ushqimore;
- Kryqi i Kuq Maqedonas do të kontribuojë me 3 kamionë në ndihma në batanije, kite higjienike, etj; .
- Kryqi i Kuq Kinez nëpërmjet Ambasada Kineze në Tiranë me 50 mijë USD.
- Kryqi i Kuq i Malit të Zi dhe Kryqi i Kuq Bullgar, mbështetjen e tyre e kanë dhënë nëpërmjet strukturave të tyre të Emergjencave Civile, të cilat ia kanë dhuruar direkt Drejtorisë së Emergjencave Civile Shqiptare;
- Kryqi i Kuq Kroat ka kontribuar me një donacion prej 5000 Euro.
Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare e KK dhe GJHK ka miratuar një donacion në vlerë 220 000 CHF për të ndihmuar 2000 familje, sipas pakos standard të ndihmës mujore të KKSH prej rreth 100 mijë lekë të vjetra*.
KKSH ka filluar shpërndarjen e ndihmave që në datën 3 dhjetor e ka vazhduar ditë pas dite ku deri me dat 22 dhjetor janë ndihmuar rreth 1600 familje në zonat meë të përmbytura. Nga fillimi i muajit dhe deri tani janë shpërndarë sipas zonave të përmbytura si më poshtë:
Në Fushë Krujë janë ndihmuar gjithsej 260 familje; në Kamzë 100 familje; në Vorë 56 familje; në Tiranë 45 familje; në Shijak 40 familje; në Fier 590 familje; në Vlorë 330 familje; në Elbasan 40 familje; në Korçë 70 familje.
Ndihma e KKSH për familjet e prekura nga emergjenca e përmbytjes do të vazhdojë deri në përfundim të operacionit që ka si objektive të ndihmojë gjithsej 3000 familje..
Kryqi i Kuq Shqiptar
* Çdo familje ka përfituar një pako standard me ushqime , batanije dhe fite higjienike në vlerë rreth 100 mijë lekë vjetra për familje. Pako standard e ndihmës përbëhet nga: 20 kg miell, 4 kg vaj, kg fasule, 4 kg oriz, 4 kg sheqer, ½ kg kripë; 4 batanije, 1 kit higjienik familjar.
Për më shumë informacion:
Fatos Xhengo – Koordinator i Programit Përgatitje dhe Përgjigje për Raste Katastrofash dhe Ndihma e Parë në Komunitet
Email: fxhengo@kksh.org.al Cel: 0694092142