Tiranë, 13 gusht 2025 – Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret në disa qarqe të vendit. Flakët kanë përfshirë zona të banuara, sipërfaqe pyjore dhe toka bujqësore, duke shkaktuar rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe dëme të shumta materiale në shtëpitë dhe pasuritë e banorëve. Autoritetet janë angazhuar me forcat tokësore dhe ajrore për shuarjen e zjarreve dhe mbrojtjen e popullsisë.
Kryqi i Kuq Shqiptar po ndjek nga afër situatën dhe është në gatishmëri të plotë, në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, për të ofruar mbështetje për komunitetet e prekura.
Udhëzime për qytetarët gjatë kësaj periudhe emergjente:
- Ndiqni gjithmonë njoftimet dhe udhëzimet zyrtare të autoriteteve.
- Tregohuni të kujdesshëm në zonat ku banoni dhe shmangni çdo lloj shkëndije që mund të shkaktojë zjarr. Shmangni ndezjen e çdo lloj zjarri në pyje, kullota apo zona të hapura. Informoni pjesëtarët e familjes dhe të afërmit tuaj për këtë kujdes të shtuar.
- Në rast evakuimi, veproni menjëherë dhe merrni me vete dokumentet e identitetit dhe sendet e domosdoshme.
- Kujdesuni për të afërmit në nevojë, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
- Raportoni çdo vatër zjarri menjëherë në numrat emergjentë 112 ose 128.
Kryqi i Kuq Shqiptar bën thirrje për kujdes të shtuar, përgjegjësi dhe bashkëpunim me strukturat shtetërore, për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve.