Revista 51


Të dashur miq të Revistës,

Periudha që mbulon ky numër i Revistës, karakterizohet nga aktivitete të shumta të organizuara për nder të 90 vjetorit të krijimit të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ato erdhën duke u shtuar deri në datën 4 tetor kur u mbajtën në Tiranë dhe në 39 degët e shoqatës, ceremonitë festive të përkujtimit të jubileut. Revista i kushtohet tërësisht kremtimit të këtij përvjetori të veçantë. Artikulli kryesor i shkruar nga anëtari i Këshillit Drejtuesi prof.dr.Seit Mansaku, i përshkruan të gjitha përgatitjet e bëra në këtë kuadër, siç jep edhe idenë se 90 vjetori i Kryqit të Kuq Shqiptar nuk është i rëndësishëm vetëm për shoqatën tonë, por për mbarë vendin. Sepse siç thotë profesori i nderuar “kur vendi është përballur me fatkeqësi natyrore dhe situata të vështira shoqërore, ai ka dhënë prova të sigurta se ka vepruar me profesionalizëm e me guxim për të plotësuar misionin e vet humanitar e për të ndihmuar në kapërcimin e vështirësive të ndryshme me të cilat janë ndeshur here pas here njerëzit në nevojë.”.

Përveç veprimtarive që shënuan 90-vjetorin, në këtë numër do të gjeni edhe dy shkrime me karakter historik. I pari është një editorial i shkruar nga “drejtoria” e shoqatës në vitin 1922, për numrin e parë të Revistës sonë. I dyti, i shkruar nga ish kryetari i degës së Kryqit të Kuq Korçë dhe filatelist i shquar z.Kristaq Korgji, lidhet me tematikën e Kryqit të Kuq në edicionet e ndryshme të pullave të postës në vite. Këto shkrime historike plotësohen edhe nga një raport mbi veprimtarinë e Kryqit të Kuq Amerikan në Europë dhe në veçanti në Shqipëri, në vitet 1921-1922.

Nga rubrika “aktualitet” jepet nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi mes Postës Shqiptare dhe Kryqit të Kuq Shqiptar. Akti i parë i këtij memorandumi është emetimi i 90-vjetorit tonë, në pullë postare.

Gëzuar festën e 90-vjetorit!

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: