Në vizitën e tij dy ditore në vendin tonë, Presidenti i Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (Federata ndërkombëtare), zhvilloi takime me drejtuesit më të lartë të Kryqit të Kuq Shqiptar, me të cilët diskutoi zhvillimet e shoqatës dhe sfidat e saj në një botë në ndryshim si dhe u takua me vullnetarë të Degës së Kryqit të Kuq, Tiranë me të cilët bisedoi për vlerat që mbart vullnetarizmi për një shoqëri më dinjitoze, në ndihmë të më nevojtarëve.
“Historia e viteve të fundit e Kryqit të Kuq Shqiptar është mbresëlënëse,” u shpreh Presidenti. Përgjigjet që keni mundur të jepni përgjatë viteve 1992-1994, 1997 dhe 1998-2000 kanë marrë admirime të shumta. Vlerësimi i popullit shqiptar për këtë institucion është treguar në medaljet e rëndësishme që i janë akorduar dy herë dhe nga Presidenti i Republikës. Kryqi i Kuq Shqiptar është një histori suksesi në Ballkan, në të cilin mbështetje e dhënë nga Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ka rezultuar në një zhvillim të qëndrueshëm për Shoqatën Kombëtare. Kjo është mënyra sesi duhet të jetë ajo që ne dëshirojmë ta shohim te të tjerët.”
“Dëshiroj që të jap vlerësimet e mija më të mira për vullnetarët tuaj dhe në veçanti për të rinjtë vullnetarë. Më kanë treguar se pjesa më e madhe e tyre janë të rinj. Kontributi i pamatë që ata kanë dhënë për kauzën e Kryqit të Kuq, jam i sigurt se do t’u kompensohet në vlerë morale,” u shpreh Presidenti.
Gjatë vizitës së tij, Presidenti i Federatës ndërkombëtare pati takime me Kryetarin e parlamentit, z. Ilir Meta, me Zëvendëskryeministrin z. Niko Peleshi dhe me Ministrin e Jashtëm z. Ditmir Bushati.
Në bisedat me krerët e lartë të shtetit, Presidenti i Federatës falënderoi për mbështetjen dhe bashkëpunimin që kanë pasur me shoqatën vendase, dhe mbështetjen e iniciativave ndërkombëtare të Lëvizjes në sferën humanitare. Z. Konoe bisedoi me personalitetet dhe për disa problematika me të cilat përballet shoqata vendase në veprimtarinë e saj humanitare siç janë gjetja e mënyrave më të mira të mbështetjes së rolit që Kryqi i Kuq Shqiptar ka në fushën humanitare, një bashkëpunim më konkret në fushën e shërbimeve, si dhe në një angazhim më të madh që shoqata mund të luajë në strukturat përgjegjëse në parandalimin dhe përgjigjet në raste katastrofash.
Një nga qëllimet e vizitës së z. Konoe në Shqipëri ishte shprehja e shqetësimit të Institucioneve të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe për krijimin e Gjysmëhënës së Kuqe Shqiptare, që bie ndesh me legjislacionin. Për këtë çështje ai u shpreh:
“Parimi ynë themelor është shumë i qartë dhe i thjeshtë. Në një vend të caktuar, nuk mund të ketë në të njëjtën kohë, një Kryq të Kuq dhe një Gjysmëhënë të Kuqe. Është kundër parimit tonë. Një vend duhet të ketë ose Kryqin e Kuq ose Gjysmëhënën e Kuqe. Në Shqipëri, është themeluar që në vitin 192, Kryqi i Kuq Shqiptar. Unë e kalova mesazhin tonë tek titullarët e vendit, ata e dëgjuan atë me vëmendje dhe kuptuan bazën ligjore që e ndalon këtë”
Kryqi i Kuq Shqiptar