Premtimet nuk mjaftojnë – bota nuk duhet të braktisë popullin e Sirisë.

Deklaratë e përbashkët e Presidentit të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Arabe Siriane (SARC), Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) dhe Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) përpara Konferencës V të Brukselit mbi “Mbështetjen për të ardhmen e Sirisë dhe rajoni”

Komunikat Shtypi
Gjenevë, 29 Mars 2021 –

Ndërsa shënojmë dhjetëvjetorin e konfliktit tragjik në Siri, Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të kalojë nga fjalët në veprim dhe të sigurojë fondet e domosdoshme për tejkalimin e njërës nga krizat më të rënda të kohës së sotme. Tani, më shumë se kurrë, sirianët kanë nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen tonë. Dhjetë vjet pas fillimit të krizës, populli i Sirisë përballet me një mori sfidash: armiqësi të vazhdueshme, shkatërrim ekonomik dhe pandemia COVID-19 e cila vetëm sa ka përkeqësuar nevojat e mëdha humanitare në vend. Aktualisht janë të paktën 13 milion njerëz që kanë nevojë për ndihmë urgjente dhe janë më të varur se kurrë nga ndihmat.

Nevojat në Siri janë të mëdha dhe ndihmat humanitare janë një gurë shprese shpëtimi. Përkundër sfidave të sigurisë dhe bllokimeve politike, ne duhet të vazhdojmë të gjejmë mënyra për të riparuar infrastrukturën më të nevojshme dhe të sigurohemi që njerëzit të kenë qasje në shërbimet themelore siç janë uji i pastër, energjia elektrike dhe shërbimet shëndetësore funksionale.
“Infrastruktura jonë është shkatërruar. Njerëzit nuk janë në gjendje të mbulojnë nevojat e tyre më themelore për shkak të mungesave serioze të ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve,” tha Khaled Hboubati, President i Shoqatës arabe siriane të Gjysmëhënës së Kuqe, stafi dhe vullnetarët e të cilës janë angazhuar në frontet kryesore të krizës, duke dhënë më shumë se 60 përqind të ndihmës humanitare të ofruar. “Prej më se një dekade, njerëzit në Siri janë duke jetuar në agoni. Bota nuk mund t’i braktisë ato,” shtoi z. Hboubati.
Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe u është përgjigjur nevojave të njerëzve në Siri që nga ditët e para të konfliktit, me vullnetarët dhe stafin e dedikuar duke siguruar ndihmë jetësore për njerëzit në zona ku të tjerët nuk mund të arrijnë. Pa ata, kjo katastrofë humanitare do të kishte qenë shumë më e keqe. Çdo muaj, ndihmohen rreth 4.5 milion njerëz brenda Sirisë. Që të vazhdojë kjo punë jetë shpëtuese, punonjësit humanitarë duhet të kenë qasje të qëndrueshme, të sigurt dhe të motivuar larg politikës, për të gjithë njerëzit, familjet dhe komunitetet në nevojë. Kërkohet që shtetet dhe të gjitha palët në konflikt të respektojnë dhe të sigurojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare në operacionet e tyre.
Gjithashtu, përkrahja është më se e nevojshme për të ndihmuar sirianët që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Nga 16.7 milion njerëz të prekur nga kriza Siriane, më shumë se një e treta janë mikpritur aktualisht në vendet fqinje, ku Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe po ndihmojnë në mbështetjen e miliona njerëzve, ndër të tjera përmes ndihmës në shkallë të gjerë me bonus financiar në vende si Turqia. Paralelisht, Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në të gjithë Evropën dhe gjetkë kanë realizuar një seri veprimtarish për të ndihmuar sirianët të integrohen në komunitetet e tyre pritëse, nga ofrimi i programeve të mbështetjes psiko-sociale, drejtimi i qendrave të pritjes, e deri në lehtësimin e procedurave të ribashkimit me anëtarët e familjes lënë pas.
“Gjatë dekadës së kaluar, ka pasur një bujari dhe solidaritet të jashtëzakonshëm në formën e ndihmave të financuara për Sirinë dhe vendet fqinje,” tha Presidenti i FNKK&GjK Francesco Rocca. “Fatkeqësisht, sot ne shohim se donacionet po bien, ndërsa kriza humanitare po përkeqësohet çdo ditë. Financimi është i nevojshëm më shumë se kurrë për të siguruar që sirianët të mund të mbulojnë nevojat e tyre themelore dhe të jetojnë një jetë me dinjitet. ” Megjithatë, vetëm ndihma dhe fondet nuk do ta zgjidhin krizën.
“Humanitarët janë këtu për të ndihmuar, por përgjegjësia përfundimtare është e palëve në konflikt,” tha Presidenti i KNKK Peter Maurer, i kthyer së fundmi nga një vizitë në Siri. “Udhëheqja kolektive dhe konvergjente në të gjithë ndarjen politike është urgjentisht e nevojshme. Përndryshe, do të ketë 6, 7 apo më shumë konferenca në Bruksel. Mbështetja e vazhdueshme financiare dhe një zgjidhje e negociuar politike do të krijojnë kushtet për një të ardhme më të ndritur për popullin sirian. Sirianët nuk kanë mundësi të durojnë dhe një vit tjetër në këto kushte të dëshpëruara, e jo më një dekadë tjetër”.

Ndajeni me miqte tuaj: