Përfundoi me sukses fushata promocionale e dhurimit vullnetar të gjakut

Përfundoi me sukses fushata e dhurimit vullnetar të gjakut, e organizuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar me rastin e 14 Qershorit, Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut. Këtë vit, slogani i kësaj dite, i përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ishte “Dhuro gjak dhe bëje botën më të shëndetshme”.

Promocioni për dhurimin vullnetar pa pagesë të gjakut është tashmë një veprimtari tradicionale e Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili është partner serioz i Ministrisë së Shëndetësisë në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut sepse siç Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Ylli Alushi theksoi: “Dhurimi vullnetar i gjakut është gjesti më sublim sepse ka të bëjë me shpëtimin e jetës. Ne shpesh themi “Dhuro gjak, shpëto jetë!”, sepse nëpërmjet dhurimit të gjaku promovojmë dhurimin e gjakut të sigurtë që është në funksion të shpëtimit të jetës”.

Prej fillimit të muajit qershor e në vazhdim, nga të gjitha degët u ndërmor një fushatë e dendur promocionale për dhurimin vullnetar pa pagesë të gjakut e cila për shkak të pandemisë COVID19 ishte më shumë virtuale.

Rezultat e kësaj fushate promocionale janë dhe seancat e dhurimit të organizuara nga degët e Kryqit të Kuq ndër të cilat do të përmendim degët e Kryqit të Kuq Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Korçë, Lushnje, por dhe degët e Kryqit të Kuq Skrapar, Gramsh, Shijak, etj.

Fushata e dhurimit vullnetar të gjakut u përmbyll me organizimin e një seance të dhurimit të gjakut për publikun e gjerë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Është bërë tradite që kësaj seancë t’i bashkëngjitet dhe Trupi Diplomatik i akredituar në Shqipëri me iniciativë të Ambasadorit të Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë z. Vicente Canelles.

Sot nevojat për gjak në vendin tonë janë të larta, veçanërisht për të sëmurët me talasemi, sëmundjet malinje, operacionet kirurgjikale, aksidente, etj. Plotësimi i nevojave për gjak është ende larg objektivit për të siguruar gjak të mjaftueshëm e të sigurtë. Sot në Shqipëri realizohen rreth 9 dhurime gjaku për 1000 banorë ndërkohë që nevojat për gjak do të mund të realizoheshin me 20 dhurime për 1000 banorë.

Rreth 600 fëmijë talasemike kanë nevojë për të marrë gjak çdo 3 javë. Ne duhet të dhurojmë sot për një botë më të shëndetshme. Vetëm falë promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut të organizuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar sigurohen rrethe 6500 njësi gjaku në vit.

Kryqi i Kuq Shqiptar i bën thirrje çdo kujt që gëzon një shëndet të mire që të dhurojë gjak, për ta bërë këtë botë më të shëndetshme.

Ndajeni me miqte tuaj: