Organizohet kampi veror për të rinjtë vullnetarë aktivë të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Organizimi çdo vit i kampit veror të rinisë me pjesëmarrjen e 20 të rinjëve vullnetarë aktivë nga degët e shoqatës, është kthyer në një traditë. Kjo veprimtari synon motivimin e të rinjve vullnetarë më qëllim përkrahjen dhe përhapjen e vullntarizimit dhe të vlerave humanitare, si dhe rritjen e kapacitetit të të rinjëve me njohuri për jetën.

Këtë vit, kampi veror për të rinjtë u zhvillua në datat 30 gusht- 4 shtator 2021 në zonën e Dajtit në Tiranë. Kësaj radhe ishin të pranishëm vullnetarët e degëve të kategorisë të mëdha dhe të mesme të shoqatës.

Organizimi i kampit u bazua në tre drejtimet: Të rinjtë si vullnetarë, të rinjtë si lider dhe të rinjtë si përfitues. Ai synoi realizimin në mënyrë aktive të tri komponentëve “Njohuri, Edukim dhe Argëtim”, bazuar në prioritet e Programit të Rinisë.

Krahas temave mbi Lëvizjen Ndërkombëtare të KK dhe GjK, themeluesin e saj Henry Dunant, veprimtarin e Kryqit të Kuq Shqiptar në ndihmë të më nevojtarëve, u trajtuan dhe tema të tilla si: lidershipi, dhuna dhe bulizmi, Jo drogës-duhanit-alkoolit, trafikimi i qenieve njerëzore. Një vend të veçantë zuri tema mbi vullnetarizmin.

Organizimi i kampit veror luan një rol nxitës për të rinjtë vullnetarë në përgatitjen e Konkursit Kombëtar për vlerat humanitare “Rinia dhe Kryqi i Kuq” dhe në cilësinë e veprimtarive të organizuara nga shoqata në fusha të ndryshme në ndihmë të më nevojtarëve.

Vizita në molin Henry Dunant, pranë liqenit artificial të Tiranës ishte një tjetër moment i rëndësishëm për të rinjtë vullnetarë pjesëmarrës, sepse ata u njohën me historinë e themelimit të Kryqit të Kuq, si lëvizja më e madhe vullnetare botërore.

Ndajeni me miqte tuaj: