Njerësit kanë nevoja për Kryqin e Kuq – ne jemi pranë tyre.
Kryqi i Kuq Shqiptar, Dega Tiranë vazhdon me intensitet ndërhyrjen për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti. Gjatë ditës së sotme vullnetarët e degës së KK Tiranë vazhduan t’i vinë në ndihmë banorëve të akomoduar në 2 vendstrehime e ngritura në Vorë dhe në Marqinet. Ata shërbyen ushqime të ngrohta të gatuara në Qendrën Sociale të Degës së KK Tiranë, për të gjithë banorët e akomoduar në këto vendstrehime.
Sot, së bashku me përfaqësues të Bashkisë Vorë u vazhdua me vlerësimin e nevojave të banorëve të strehuar në një kamp tjetër me çadra në zonën e Vorës. Në këtë kamp janë strehuar 300 persona që kanë nevojë për ushqim të ngrohtë dhe veshmbathje. Gjithashtu, u evidentuan nevojat humanitare të banorëve të zonave rurale të Vorës shumë prej të cilëve nuk janë larguar nga shtëpitë e tyre. Vlerësimi që u realizua në zonën e Malsubashit, u asistua dhe nga përfaqësuesit e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. 7 banesa të verifikuara ishin në gjendje të rëndë dhe të pabanueshme. Nevojat kryesore sipas banorëve janë: strehimi (çadra), ushqimet, veshmbathjet, batanijet dhe kitet higjienike.
Ndërkohë jemi në kontakt të vazhdueshëm me njësitë administrative dhe të dërguarit në terren për çdo nevojë. Ndërhyrja vazhdon! “Njerëzit për njerëzit”