Një Qendër e re Sociale e Kryqit të Kuq në Durrës

 

 

Pikërisht sot, datë 17 tetor, në Ditën Botërore kundra Urisë fillon funksionimin Qendra e re Sociale e Kryqit të Kuq Shqiptar në qytetin e Durrës. Qendra Sociale është një tjetër kontribut humanitar në fushën sociale i Kryqit të Kuq Shqiptar, për shtresat më në nevojë. Kjo qendër u realizua në një kohë shumë të shkurtër, pas Qendrës Sociale të Degës së kryqit të Kuq Tiranë që ka nisur funksionimin e saj një vit më parë. Qendra ndodhet në të njëjtën godinë me zyrat e Degës së Kryqit të Kuq Durrës.

 

Krahas veprimtarive të ndryshme, kjo qendër ka për qëllim që të ofrojë një vakt të ngrohtë falas për më nevojtarët e qytetit të Durrësit, në veçanti për të moshuarit e vetmuar dhe personat në nevojë ekstreme.

 

Realizimi i kësaj qendre u bë e mundur falë fondeve të vetë Kryqit të Kuq Shqiptar dhe të Republikës Federale të Gjermanisë nëpërmjet Ambasadës Gjermane në Tiranë, që bënë të mundur ngritjen e ambienteve të gatimit dhe të ngrënies.

 

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm, krahas vullnetarëve dhe stafit, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, znj. Valbona Sako, përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane znj. Petra Schmidt dhe Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Ylli Alushi, të cilët përshëndetën të pranishmit, dhe frekuentuesit e qendrës.

 

Në fjalën e tyre ata shprehën besimin dhe sigurinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në të ardhmen. Ashtu si deri tani, Kryqi i Kuq Shqiptar do të bashkëpunojë ngushtë institucionet vendore për evidentimin e më nevojtarëve, frekuentues të kësaj qendre.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar, Dega Durrës beson shumë se kjo qendër do të gjej mbështetjen e donatorëve të qytetit, të cilët ashtu si deri tani, kanë mbështetur veprimtaritë humanitare të organizuara saj.

 

Ndajeni me miqte tuaj: