– deklarata e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK):, ndërkohë që numri zyrtar i të vdekurve në COVID-19 arrin në 1 milion
Gjenevë, 28 shtator 2020 – Deklaratë e Jagan Chapagain, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK):
“Sot, ne jemi në krah të qindra mijëra familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. Një milion vdekje përfaqësojnë 1 milion tragjedi individuale dhe thyerje të panumërta zemre. Ato përfaqësojnë mijëra jetimë, gra të veja, tragjedi në familje dhe në komunitet, boshllëqe të krijuara që nuk do të mbushen kurrë. Ato përfaqësojnë punonjës të panumërt të kujdesit shëndetësor dhe të vijës së parë të frontit, përfshirë këtu shumë vullnetarë dhe staf të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, të cilët kanë humbur jetën.
“Ne e dimë se ky është vetëm dhe thjesht një moment historik nga më të trishtueshmit në tragjedinë COVID-19. Kjo është pa dyshim një nga katastrofat më të mëdha humanitare të kohëve të fundit. Kështu që sot ne bëjmë një ndalesë hidhërimi. Megjithatë ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë.
“Siç kemi mësuar të gjithë që nga fillimi i saj, kjo pandemic nuk ka zgjidhje të shpejtë. Këshilla më e mirë mbetet e njejtë me atë që ka qenë prej muajsh: ne mund ta zvogëlojmë dhe madje ta ndalojmë këtë virus nëse do t’i përmbahemi protokolleve themelore të këshilluara nga shëndeti publik. Masat masa përfshijnë distancimin social, përdorimin e domosdoshëm të maskave të fytyrës, higjenën e mirë të duarve dhe gjurmimin e fortë të kontakteve të të prekurve. Aty ku ndiqen këto masa dhe të tjera, ne kemi parë dhe do të vazhdojmë të shohim progres.
“Po aq e rëndësishme është të sigurohemi që komunitetet në rrezik na dëgjojnë dhe janë të angazhuar. Besimi, shqetësimet dhe frika e tyre duhet të kuptohet dhe të veprohet në këtë drejtim. Besimi midis komuniteteve dhe autoriteteve do të jetë thelbësor për t’i dhënë fund kësaj pandemie. Dhe sigurisht, ndërsa jemi të përqëndruar gjatë gjithë kohës në përgjigjen ndaj shpërthimit në çdo cep të botës të kësaj pandemie, ne duhet të planifikojmë mbështetjen për miliona njerëz që do të kenë nevojë për të rindërtuar jetën e tyre pasi kjo sëmundje të mundet përfundimisht.”
Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, FNKK&GjK dhe Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe kanë mundur të ndihmojnë dhjetëra miliona njerëz në pothuajse çdo vend në botë me një sërë shërbimesh, përfshirë këtu sigurimin e kujdesit shëndetësor, ujin dhe kanalizimet, shëndetin mendor si dhe veprimtaritë mbështetëse me angazhimin e komunitetit.