Të shumta janë veprimtaritë humanitare të zhvilluara dhe nga degët e mesme dhe ato të vogla të Kryqit të Kuq. Kështu:
Vullnetarët e degës së KK Pukë u bënë pjesë e veprimtarive të organizuara nga shoqata “Pukiss” duke shpërndarë materiale informuese dhe informacion mbi dobinë e dhënies në kohë të Ndihmës së Parë;
Ndërsa në degën e KK të Kuçovës vazhdojnë pa ndërprerë veprimtaritë e ndryshme në dobi të frekuentuesve të qendrës sociale për të moshuarit. Një nga këto veprimtari është dhe leximi i librave të ndryshëm me interes për të moshuarit;
Vullnetarët e Degës së KK Librazhd kishin menduar që të kremtonin 12 gushtin, Ditën Botërore të Rinisë me organizimin e shpërndarjeve të ushqimeve për familjet në nevojë. Dhe në këtë degë, Qendra Sociale për të moshuarit është mjaft e frekuentuar në këto ditë të nxehta vere të cilët përfitojnë aty dhe kontrollin e vazhdueshëm shëndetësor nga mjekja e qendrës;
Ndërsa vullnetarët e Degës së Lushnjës ashtu si bashkëmoshatarët e tyre të degëve pranë zonave bregdetare kanë zgjedhur që të jenë pranë pushuesve të Plazhit të Divjakës duke shpërndarë materiale sensibilizuese dhe pse jo duke dhënë Ndihmën e Parë nëse është e nevojshme.