Për Degën e Kryqit të Kuq Elbasan, java e fundit ka qenë e mbushur me veprimtari të shumta të organizuara pothuajse në të gjitha fushat e veprimtarisë. Kështu:
Në Programin “Rinia dhe Edukimi humanitar” ka nisur fushata për promovimin e vlerave humanitare te nxënësit e shkollave 9 vjeçare, që do të përmbyllet me organizimin e Ekspozitës së Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Pikërisht për një ecuri sa më cilësore të kësaj fushate në Shkollën 9 vjecarë “Fejzullah Guranjaku” vullnetarët e Degës zhvilluan një seancë sensibilizimi me fëmijët për vlerat humanitare të Kryqit të Kuq si dhe aktivitetet që zhvillohen në ndihmë të komunitetit.
Ndërkohë më datë 8 shkurt, ekipi i ndihmës së parë i Kryqit të Kuq Shqiptar ishte i pranishëm në stadiumin “Elbasan Arena”, ku asistoi si zakonisht ndeshjen e futbollit të vlefshme për Kategorinë superiore ndërmjet ekipeve të Kukësit dhe Laçi.
Një veprimtari interesante u zhvilluan në kuadër të Projekti HIV/AIDS në fushën e shëndetit. Vullnetarët e degës realizuan një seancë sensibilizuese me nxënësit e Gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” lidhur me sëmundjen e SIDA-s. Ata biseduan mbi mënyrat e transmetimit të virusit HIV, metodën ABC të parandalimit të përhapjes së HIV-it në popullatë dhe mbi sjelljet, që paraqesin rrezikshmëri të lartë lidhur me transmetimin e këtij virusi.
Një tjetër veprimtari në fushën e shëndetit ishte ajo e zhvilluar në kuadër të Projektit DAD (Droga, Alkooli, Duhani), po me nxënësit e këtij gjimnazi. Në takim, vullnetarët diskutuan me bashkëmoshatarët e tyre mbi faktorët që nxisin përdorimin e Drogës, Alkoolit, Duhanit si dhe mbi shkaqet e pasojat e tyre jo vetëm tek individi por edhe në shoqëri.
Vullnetarët e degës nuk mund të linin pas dore Dhurimin vullnetar të gjakut, një fushë kjo mjaft ndjeshme, vecanërisht për ata që kanë nevojë për gjak. Ishte një seancë dhurimi gjaku që u organizua në ambientet e Konviktit “Trajtim Studenti Sh.A” Elbasan. Kësaj nisme ju bashkuan dhe studentët të cilët shprehën hapur dëshirën e tyre për të ndihmuar fëmijët talasemikë.