Komunikatë Shtypi
Datë 12.01.2018
Nënshkruhet Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e Ndihmës së Parë ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Kryqit të Kuq Shqiptar
Sot, në ambjentet e Selisë së Kryqit të Kuq Shqiptar u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit, autoriteti më i lartë i futbollit në Shqipëri, dhe Kryqit të Kuq Shqiptar, për të cilin organizimi dhe dhënia e Ndihmës së Parë është një veprimtari tradicionale. Marrëveshja u nënshkrua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Z. Armando Duka dhe Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Ylli Alushi.
Objekti i kësaj marrëveshje është bashkëpunimi i të dy institucioneve për dhënien e Ndihmës së Parë në ndeshjet e futbollit të Ekipeve Kombëtare dhe ato të katëgorisë Superiore, por dhe të ndeshjeve që do të organizohen nga Ekipet Kombëtare U 21, U 19, U 17, të Ekipeve Kombëtare të Femrave A, U19 dhe U 17, dhe Futsal.
Marrëveshja vjen pas një sprove të dhënë në terren, ku për më shumë se një vit ekipet e Ndihmës së Parë të Kryqit të Kuq Shqiptar kanë dhënë ndihmesën e tyre në të gjitha ndeshjet e kategorive të cituara më sipër në fushën e lojës dhe në raste të caktuara dhe jashtë saj. Ajo mbështetet dhe në eksperiencën më të mirë të Federatave të Futbollit simotra dhe do të sjellë më shumë siguri në terrenet sportive.
Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e Ndihmës së Parë, është në vazhdën e bashkëpunimit mjaft të ngushët që kemi pasur me Federatën e Futbollit, në promovimin e iniciativave të tilla humanitare sic është dhurimi vullnetar i gjakut, etj.
Kryqi i Kuq Shqiptar