- Ndihma e Parë Psikologjike (NPP) është tërësia e aftësive dhe njohurive që mund të përdoren për të ndihmuar njerëzit të cilët vuajnë e ndodhen në gjendje stresi/ankthi. Është një mënyrë për të ndihmuar njerëzit të ndjehen të qetë dhe të aftë për të përballuar një situatë të vështirë.
NPP përfshin kujdesin ndaj personit i cili ndodhet në gjendje stresi/ankthi, duke i kushtuar vëmendje reagimeve të tij, duke e dëgjuar në mënyrë aktive si dhe duke i ofruar ndihmën praktike. Ajo është një mënyrë për të mbështetur dhe për t’i ofruar dikujt ndihmën që i nevojitet.
Aftësitë e NPP përfshijnë njohjen e:
• Si të vlerësojmë një situatë në lidhje me reagimet e zakonshme ndaj krizave?
• Si t’i drejtohemi dikujt në një situatë stresi/ankthi?
• Si të qetësojmë dikë që ka nevojë për ndihmë?
• Si të sigurojmë mbështetje emocionale dhe ndihmë praktike për këtë person?
NPP mund t’i vijë në ndihmë çdo individi i cili është duke vuajtur nga stresi/ankthi. Sidoqoftë, jo të gjithë personat që janë duke vuajtur mund të kenë nevojë ose të dëshirojnë NPP. Disa njerëz mund të menaxhojnë situata të vështira vetë ose me ndihmën e të tjerëve dhe të mos kenë nevojë për ndihmën tuaj. NPP mund të ndihmojë njerëzit që janë duke kaluar kriza personale, përfshirë këtu edhe sfida sociale apo shëndetësore. Ajo është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ndihmës më të madhe të ofruar për përballimin e dëmit emocional që njerëzit përjetojnë në situata të tilla si katastrofat, konflikte, dhuna e migracioni i detyruar.
Për të lexuar Manualin e Ndihmës së Parë Psikologjike klikoni këtu.
Për të lexuar fletëpalosjen e Ndihmës së Parë Psikologjike klikoni këtu.