Ndahet nga jeta Dr. Ali Sula, një nga aktivistët e shquar të Kryqit të Kuq Shqiptar në qytetin e Durrësit.
Doktor Ali Sula u aktivizua menjëherë me riorganizimin e veprimtarisë së Kryqit të Kuq Shqiptar në vitet 90-të, si Kryetar i Degës së Kryqit të Kuq Durrës dhe anëtar i Këshillit Drejtues të shoqatës dhe një vit më vonë si zëvendës President i Kryqit të Kuq Shqiptar, detyrë që ai e kreu me korrektësi deri në vitin 2002 duke dhënë kontributin e tij në rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të shoqatës në ndihmë të më nevojtarëve.
Nën drejtimin e tij, Dega e Kryqit të Kuq Durrës do të njihte rritje në veprimtaritë e saj humanitare në ndihmë të familjeve në nevojë, veçanërisht në periudha të vështira që kaloi vendi, si viti ’97 apo kriza kosovare.
Dr. Ali Sula ishte dhe do të mbetet shembulli i një aktivisti fjalë pak e punë shumë për vullnetarët dhe aktivistët e Kryqit të Kuq dhe një shembull i urtësisë dhe veprimit konkret për qytetarët e Durrësit dhe të Kavajës, aty ku ai dha kontributin e tij të vyer në fushën e mjekësisë për vite e vite me rradhë.
Kryqi i Kuq Shqiptar shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së Dr. Ali Sulës për humbjen e njëriut të tyre të shtrenjtë.