Mbyllet me sukses Fushata e organizuar me rastin e Ditës Botërore e Dhuruesve Vullnetar të Gjakut

 

 

“Gjaku na Bashkon të Gjithëve” ishte slogani që u përcoll fuqishëm në të gjitha degët e Kryqit të Kuq Shqiptar.  Fushata synonte falënderimin e të gjithë dhuruesve vullnetar të gjakut, dhe rekrutimin e dhuruesve të rinj. Dhurimi vullnetar i gjakut, nëpërmjet sloganit “Falë jetë, duke dhuruar gjak” nxit ndjenjën e humanizmit dhe dëshirës për tu përkujdesur për njeri tjetrin, duke promovuar kështu solidaritetin në komunitet.

 

Vullnetarët e kryqit të kuq, nëpërmjet takimeve, bisedave, materiale sensibilizuese motivojnë dhuruesit e rregullt të vazhdojnë të dhurojnë gjak, të motivojnë qytetarët e shëndetshëm që të bëhen dhurues të rregullt, në mënyrë të veçantë të rinjtë.

 

Një gjak i mjaftueshëm dhe cilësor mund të arrihet vetëm nëpërmjet dhurimeve vullnetare. Ky është dhe objektivi i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetit që “Deri në vitin 2020, të gjithë vendet të sigurojnë furnizim me gjak nga dhurues vullnetarë e pa pagesë”.

 

Gjatë muajit qershor u angazhuan në sensibilizimin e publikut, veçanërisht të rinjve të gjitha degët e KKSH, kontribuuan duke organizuar seanca për dhurimin e gjakut 22 degë. Shprehën gatishmërinë për të dhuruar gjak mbi 1 000 persona, dhe dhuruan gjak 800 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë janë 13% më shumë dhurues.

.

Një Falënderim i Veçantë përcillet nga Kryqi i Kuq Shqiptar për Kryeministrin z. Edi Rama, Ministrin e Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, Ministren e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, Dr. Skerdi Farija, Drejtor i Klinikës “KEIT” për shembullin e tyre konkret, dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe private, të ushtrisë, drejtuesit mediave për kontributin të dhënë në këtë fushatë dhe në vazhdimësi dhe në veçanti të gjithë dhuruesit vullnetar të rregullt apo për herë të parë, që sollën një tjetër vlerë të shtuar në arritjen e objektivit madhor për zgjidhjen e problemit të mungesës së gjakut.

 

 

Kryqi i Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: