Mbrëmja Gala e Bamirësisë

Vullnetarizmi na bashkon të gjithëve! Ne jemi Forca e Mirësisë!”

Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit dega Tiranë organizoi Mbrëmjen Gala të Bamirësisë me prezencën e figurave të shquara të vendit, diplomatë, artistë, gazetarë dhe miq të Kryqit të Kuq Shqiptar. Kjo ishte një mundësi, jo vetëm për të falenderuar vullnetarët tanë për misionin e tyre human në ndihmë të komunitetit ku jetojnë, por edhe për të bashkuar forcat dhe për të kontribuar për përmirësimin e jetës së fëmijëve që nuk dëgjojnë, nuk flasin dhe nuk shikojnë.

   

Mbrëmja u drejtua nga moderatorja e talentuar dhe vullnetarja jonë Eva Murati. Artistet e nderuara Roza Anagnosti dhe Marsela Çibukaj përcollën përmes artit të tyre falenderimet për punën e vullnetarëve, deri në mbylljen magjike mes tingujve të Vivaldit të luajtura nga Orkestra e Harqeve të Sigal Uniqa.

   

Në shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e saj në aktivitetet humane të Kryqit të Kuq Shqiptar, Presidenti i shoqatës i akordoi Znj. Roza Anagnosti Medaljen e Artë të Humanizmit. Ky është vlerësimi më i lartë në fushën e veprimtarisë humanitare.

   

Në përfundim të aktivitetit u organizua edhe ankandi i pikturave, ku pjesëmarrësit patën mundësi të shijojnë dhe blejnë punimet artistike të vullnetarëve të degës, duke kontribuar kështu për fëmijët në nevojë. Në veçanti jemi mirënjohës për vullnetaren tonë më të vogël, Nikol Puka, e cila përfaqëson më së miri moton tonë “Vullnetarizmi nuk njeh moshë” dhe kontribuoi me pikturën e saj në këtë ankand bamirësie.

  Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit për donacionet e tyre, gjimnazet e Tiranës për kontributin artistik dhe financiar në ndihmë të nevojtarëve dhe në veçanti të gjithë vullnetarët tanë të palodhur për angazhimin e tyre të përditshëm në ndihmë të komunitetit!

  • Për të ndjekur pamjet filmike nga eventi, ju ftojmë të ndiqni reportazhet e Report TV dhe Klan News.

 

Ndajeni me miqte tuaj: