Çdo ditë, në pikat kufitare të Shqipërisë, Kryqi i Kuq Shqiptar është i pranishëm në mbështetje të njerëzve që kërkojnë siguri. Në bashkëpunim të ngushtë me UNHCR dhe autoritetet lokale, nga Policia Kufitare dhe e Migracionit deri te institucionet bashkiake, ekipet tona punojnë për të siguruar që çdo person i ardhur të trajtohet me dinjitet, respekt dhe ndihmë të menjëhershme.
Puna jonë nis që në momentin e mbërritjes. Stafi i Kryqit të Kuq Shqiptar ofron informacion të qartë, kryejnë intervista, identifikojnë raste vulnerabël dhe realizojnë referime drejt shërbimeve të specializuara. Çdo ndërhyrje ka një qëllim të vetëm. Të sigurojë mbrojtje reale dhe orientim të saktë për njerëzit që përballen me pasiguri. Ky reagim i koordinuar është rezultat i partneritetit të fortë me UNHCR dhe institucione të tjera përgjegjëse. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm, ne kontribuojmë në funksionimin efektiv të sistemeve të mbrojtjes dhe azilit në Shqipëri, duke garantuar që procedurat të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në jug të vendit, kjo punë merr formë konkrete përmes angazhimit të përditshëm të Françeskës, pjesë e ekipit të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ajo lëviz çdo ditë drejt fshatrave pranë kufirit jugor, duke punuar së bashku me UNHCR dhe autoritetet lokale për të garantuar që personat që mbërrijnë në kërkim të sigurisë të mos kalojnë pa u vënë re dhe të marrin mbështetjen e nevojshme. Dita e saj nis në zyrën e terrenit në Gjirokastër. Bashkë me ekipin, Françeska shqyrton informacionet më të fundit, kushtet e motit dhe planifikon lëvizjet në terren. Fleksibiliteti është pjesë e domosdoshme e punës. Situatat ndryshojnë shpejt dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Rrugët përmes kodrave dhe zonave bujqësore janë të njohura për ekipin, por asnjë ditë nuk është e njëjtë. Ndonjëherë dita kalon në rutina të zakonshme monitorimi. Herë të tjera, çdo minutë ka rëndësi. Kur Policia Kufitare dhe e Migracionit njofton për mbërritjen e një personi apo familjeje, Françeska dhe UNHCR shkojnë menjëherë në vendngjarje për të asistuar. Ajo ndihmon në vlerësimin e nevojave të menjëhershme, qoftë kujdes mjekësor, strehim, apo orientim drejt procedurës së azilit.
Në zona si Dropulli, Françeska bashkëpunon me autoritetet vendore për të përmirësuar identifikimin dhe referimin e personave vulnerabël, me fokus të veçantë te fëmijët e pashoqëruar. Ky koordinim është thelbësor për të siguruar mbrojtje të shpejtë dhe të përshtatshme për rastet më të ndjeshme. Ndërtimi i besimit është pjesë e rëndësishme e punës në terren. Një përshëndetje me fermerët lokalë, një bisedë me patrullat e policisë apo kontakte të përditshme në fshatra krijojnë lidhje që ndihmojnë ekipin të informohet shpejt kur dikush ka mbërritur ose ka nevojë për ndihmë.
Në fund të ditës, Françeska dhe ekipi kthehen në zyrë për të dokumentuar atë që kanë parë dhe dëgjuar. Këto raporte ndihmojnë UNHCR dhe partnerët të kuptojnë situatën në terren dhe të veprojnë me shpejtësi kur nevojitet mbrojtje. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit EU4Migration, Kryqi i Kuq Shqiptar po forcon kapacitetet e tij për të qenë i pranishëm aty ku nevoja është më e madhe.
Për Kryqin e Kuq Shqiptar, mbrojtja nuk është vetëm një parim. Është punë e përditshme, e bërë nga njerëz si Françeska, të cilët sigurojnë që askush që kërkon siguri të mos mbetet pa mbështetje.



