Kryqit të Kuq Shqiptar ndodhet pranë familjeve të prekura nga tërmeti.

Komunikatë për Shtyp
Datë 17 dhjetor 2019

Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH) vazhdon të japë ndihmën dhe mbështetjen e tij për familjet e prekura nga tërmeti, përmes degëve të tij të Kryqit të Kuq në Durrës, Tiranë, Krujë, Laç, Lezhë dhe Shijak, ku më shumë se 350 vullnetarë janë angazhuar në përgjigje të situatës së krijuar pas tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor të këtij viti.
Që në orët e para të pas tërmetit, degët e Kryqit të Kuq Durrës e Tiranë kanë mobilizuar ekipet e vullnetarëve të përgatitur për raste katastrofash dhe kanë organizuar mbështetje për personat dhe familjet e prekura nga tërmeti, fillimisht në vendin e ngjarjes, në spitalet respektive të qytetit dhe pas kësaj në qendrat e akomoditimit të ngritura për strehimin e banorëve të pastrehë duke siguruar ujë, ndihmë ushqimore, veshmbathje, mbështetje psikosociale dhe Ndihmë të Parë duke siguruar ushqim të thatë, ujë, biskota, etj. Qendrat Sociale të Degëve të KK Durrës e Tiranë kanë përgatitur deri në ditët e fundit ushqim të ngrohtë për familjet e akomoduara, dhe personat e vetmuar.
Ndërkohë, ndihma e e degëve të KK Durrës, Tiranë, Thumanë, Shijak, Lezhë, etj. ka shkuar te banorët e vendosur në qendrat e akomodimit, në disa lagje të qytetit dhe në 16 fshatra të prekur nga tërmeti. Vetëm në dy ditët e para të pas tërmetit janë ndihmuar rreth 6100 persona të prekur me: 300 pako ushqimore, 1900 batanijë, 400 kite higjenike, 2200 shishe ujë të pijshëm, 3000 racione ushqimi të thatë, 4000 racione ushqim të ngrohtë, 300 xhaketa dimri, ndërkohë që 1200 persona kanë marrë mbështetje psiko-sociale.
Duke filluar nga data 3 dhjetor ka nisur shpërndarja e paketave mujore standart të ndihmës të Kryqit të Kuq Shqiptar. Deri më datë 17 dhjetor janë shpërndarë gjithsej 710 paketa familjare mujore në Manzë, Ishëm, Fushë-Kërtushaj, Fushë Kapedanaj, Likmetaj, Manzë e vjetër, Lagjen Miniera (Manëz), Lezhë, Vorë, Shullaz, Adriatik. (Një paketë përmban 20.5 kg ushqime + 20 kg miell, 5 batanije, një kit higjienik familjar mujor).
Këto ndihma u bënë të mundura me mbështetjen të shoqatave si motra të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhës së Kuqe, Federatës ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së dhe USAID.
Me mbështetjen e Gjysmëhënës së Kuqe Turke janë shpërndarë 120 çadra, 150 pako ushqimore dhe 330 batanije në Ishëm dhe Bubq, Shkallë, Manëz e Durrës, 300 kite higjienike në Kompleksin hotelier FAFA, në Hotel Frojdi, Resort Rafaelo, Shkolla“Hydajet Lezha”, Manastiri i Shën Vlashit dhe 418 çanta shkollore në zonën e Durrësit.

Gjithsej deri më datë 17 dhjetor janë shpërndarë 970 pako ushqimore mujore, 4000 batanije, 1050 kite higjienike mujore, dhe 14 500 kg miell.

Operacioni i ndihmave të Kryqit të Kuq vazhdon. Ai është mbështetur fuqimisht nga Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe si dhe Shoqatat simotra të rajonit dhe më gjerë dhe parashikon një mbështetje për 2000 familje për një periudhë një vjeçare. Për këtë, Federata ndërkombëtare ka lëshuar një Apel ndihme për Shqipërinë në shumën e 3 milion Franga Zvicerane, që ka nisur nga zbatimi. 2000 familje do të ndihmohen fillimisht me shpërndarje ushqimore dhe në muajt në vazhdim me një shumë të caktuar të hollash, ndihmë për përballimin e ekononimeve të tyre të dëmtuara nga tërmeti.

Koordinatori për marrëdhënie me publikun
Zamir Muça

Ndajeni me miqte tuaj: