Tre muaj nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Kryqi i Kuq Shqiptar vazhdon pa ndërprerje të ndihmojë familjet më në nevojë të prekura nga kjo katastrofë natyrore.
Siç është bërë e ditur dhe më parë, operacioni i ndihmës së Kryqit të Kuq është organizuar në dy faza.
Faza e parë ka të bëjë me ndihmën emergjente të dhënë që në ditët e para të pas tërmetit e në vazhdim që konsiston në shpërndarjen në ushqime e shtroje dhe në mbështetje psikosociale.
Për këtë, deri më 25 shkurt nga Kryqi i Kuq Shqiptar, me mbështetjen dhe të Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe janë ndihmuar 6 149 familje me paketën standard të ndihmës ushqimore një mujore familjare të Kryqit të Kuq e cila përbëhet nga 20.5 kg. ushqime bazë dhe 20 kg. miell, thënë ndryshe, janë shpërndarë rreth 126 ton ushqime nga të cilët, 24.6 ton oriz, 24.6 ton vaj, 24.6 ton makarona, 24.6 ton sheqer, 24.6 ton fasule dhe 3 ton kripë, 123 ton miell. Ndërkohë për familjet në nevojë janë shpërndarë 5911 kite higjienike familjare mujore, 950 kite për femra dhe fëmijë, 28 330 batanije, 1052 kuti me veshje, 636 tenda dhe 857 kite kuzhine, 606 shtroje.
Faza e dytë e operacionit të ndihmës ka të bëjë me një ndihmë financiare për 1 100 familje të dëmtuara më rëndë, me një bonus në të holla për një periudhë 3 mujore, me qëllim plotësimin e nevojave më të ngutshme familjare. Për këtë, ekipet e Kryqit të Kuq janë duke punuar ngushtë me organet e pushtetit vendor për evidentimin e familjeve më të prekura, hartimin e listave, vlerësimin e tyre dhe shumë shpejt do të fillojë shpërndarja e bonusit.
Në arritjen e mësipërme të këtij aksioni të madh humanitar, Kryqi i Kuq Shqiptar ka mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, partneri kryesor i Kryqit të Kuq Shqiptar në raste katastrofash, e cila ka lëshuar një Apel Ndihme afatgjatë në ndihmë për Shqipërinë në shumën e 3 milion Franga Zvcerane, por duke e parë nevojat në vend, gadishmërinë e donatorëve dhe me qëllim zgjerimin e e operacionit të ndihmës, shuma e kërkuar për ndihmë për Shqipërinë ka shkuar në 5.1 milion Franga Zvicerane.
Pjesë e veprimtarisë së këtij operacioni të Kryqit të Kuq është dhe ndihma e parë psikosociale prej të cilës deri tani kanë përfituar rreth 2220 persona.
Operacioni i ndihmës së Kryqit të Kuq Shqiptar ka pasur një mbështetje mjaft të gjerë nga donatorë të shumë në nivel bilateral brenda dhe jashtë Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Operacioni i ndihmës vazhdon….
Kryqi i Kuq Shqiptar
Për më shumë informacion kontaktoni:
Zamir Muça, koordinator per marrëdhiet me publikun, Mob. 0694092740, email: zmuca@kksh.org.al
Fatos Xhengo, koordinator për përgatitjen dhe ndërhyrjen në raste katastrofash, Mob. 069 2029142, email: fxhengo@kksh.org.al