Në çdo situatë tensioni apo përplasjeje, jeta, shëndeti dhe dinjiteti njerëzor janë dhe duhet të mbesin, mbi çdo gjë!
Kryqi i Kuq Shqiptar, në përmbushje të misionit humanitar dhe në zbatim të Parimeve Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, riafirmon angazhimin për të ndihmuar çdo person në nevojë, pa dallim dhe diskriminim.
Prej ditësh, ekipet tona të ndihmës së parë janë në terren, duke u ardhur në ndihmë personave të lënduar dhe duke ofruar mbështetje humanitare, në përputhje me procedurat e sigurisë, duke u frymëzuar nga humanizmi dhe duke respektuar paanësinë, neutralitetin dhe pavarësinë e aksionit humanitar.
U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të respektojnë jetën dhe dinjitetin e çdo personi dhe të lehtësojnë aksesin e ekipeve të ndihmës së parë, pa penguar veprimtarinë e tyre.
Çdo jetë ka vlerë. Çdo person i lënduar ka të drejtë për ndihmë.
