Komunikatë Shtypi Datë 23.09.2019
Të shtunën më datë 21 shtator 2019, një tërmet i fuqishëm i shkallësh 5,8 Rihter dhe intensitet 7,5 goditi vendin tonë me epiqendër në 30 km në Veri të qytetit të Durrësit, në Detin Adriatik. Tërmeti u shoqërua nga goditje të shumta të një shkalle me të vogël, që u ndjenë në të gjithë vendin, por më shumë në qytetin e Durrësit dhe Tiranë, në Elbasan, Lezhë, etj. Për pasojë, tërmeti shkaktoi panik shumë të madh tek banorët të cilët dolën menjëherë jashtë ambienteve të shtëpive.
Strukturat reaguese të shtetit, policia, urgjencat, spitalet, emergjencat civile u vunë në gjendje gatishmërie. Komision e menaxhimit të emergjencave në nivel bashkie, anëtar i të cilëve është dhe Kryqi Kuq në Tiranë, Durrës, Elbasan, etj. u mblodhën me emergjencë dhe përcaktuan marrjen e masave të menjëhershme të nevojshme në përballimin e pasojave.
Degët respektive të Kryqit të Kuq në këto qytete, organizuan punën bazuar për mbledhjen e informacionit nga grupet e vullnetarëve të Kryqit të Kuq, informacion mbi të cilën do të organizohet dhe mbështetja për grupet në nevojë.
Nga informacionet paraprake të mbledhura në qednrat e urgjencave rezulton se fatmirësisht nuk ka të vdekur, ndërsa numri i të lënduarve që kanë marrë ndihëm e nevojshme në këtë shërbim në Tiranë dhe Durrës është 105 persona.
Po kështu, informacionet e mbledhura nga Degët e Kryqit të Kuq dhe në Komisionet e Emergjencave të Prefekturave përkatëse, tregojnë për dëme të shumta në godina e banesa, mure të plasaritur e të çarë, rënie suvash dhe objekte të dëmtuar në ambientet e brendshme. Kështu janë rreth 9 pallate e 200 shtëpi të dëmtuar në Tiranë, dhe rreth po kaq në Durrës dhe me pak në bashkitë e tjera.
Grupet vullnetare të Kryqit të Kuq kanë qenë pranë të dëmtuarve, vecanërisht në qendrat e strehimit të hapura nga Bashkitë. Dega e KK Tiranë ndihmoi me batanije 4 familje të strehuara në qendrën në Don Bosko.
Kryqi i Kuq Shqiptar vazhdon të vlerësojë situatën me qëllim që të përcaktojë ndihmën në vazhdimësi që mund të japë për grupet më në nevojë të prekur nga kjo fatkeqësi.
Shoqata është kontaktuar dhe ka marrë mbështetjen paraprake nga shoqata të ndryshme të rajonit si Kryqi i Kuq Italian, Kryqi i Kuq Kroat, Kryqi i Kuq i Malit të Zi, USAid, Zyra rajonale e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në Budapest të cilët kanë shprehur solidaritetin e tyre dhe gatishmërinë për të ndihmuar Kryqin e Kuq Shqiptar.
Kryqi i Kuq Shqiptar