Gjatë javëve të fundit, disa zona të vendit janë përfshirë nga zjarre masive, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, bujqësi dhe blegtori. Përballë kësaj situate emergjente, Kryqi i Kuq Shqiptar ka ndërmarrë menjëherë masa konkrete për të ndihmuar familjet e prekura.
Aktivitetet e zhvilluara deri më tani në terren nga Programi për Përgatitjen dhe Përgjigjen në Raste Katastrofash:
-
✅ Në Gramsh janë shpërndarë pako ushqimore për 32 familje.
-
✅ Në Xath, Flet dhe Kulumri, në bashkëpunim me Degën e Pukës dhe Bashkinë Fushë-Arrëz, janë shpërndarë ndihma ushqimore për familjet e prekura.
-
✅ Po ashtu, KKSH është duke ndjekur nga afër situatën në Delvinë, Fushë-Arrëz dhe zona të tjera të prekura, ku shpërndarja e ndihmave do të vijojë në ditët në vijim.
Këto ndërhyrje kanë për qëllim të ofrojnë mbështetje të menjëhershme për familjet që ndodhen në vështirësi, duke treguar se nuk janë vetëm në këtë sfidë. Përveç ndihmave materiale, Kryqi i Kuq Shqiptar po mbledh të dhëna të detajuara për dëmet e shkaktuara, përfshirë banesat e djegura plotësisht apo pjesërisht, si dhe humbjet në bujqësi dhe blegtori.
Një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces po japin vullnetarët e Kryqit të Kuq Shqiptar, të cilët me përkushtim shpërndajnë ndihma dhe ofrojnë mbështetje psikosociale për familjet e prekura.
- Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj nisme dhe fton qytetarët, institucionet dhe partnerët të kontribuojnë, për të forcuar solidaritetin dhe për të qenë më pranë njerëzve në nevojë.