Që prej 4 janarit, Kryqi i Kuq Shqiptar ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë situatën e përmbytjeve në vend. Reagimi është udhëhequr nga Programi i Katastrofave, një strukturë kyçe që synon mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të familjeve të prekura nga emergjencat. Degët e Kryqit të Kuq në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër kanë qenë aktive në terren. Ato kanë monitoruar situatën, kanë koordinuar veprimet me autoritetet vendore dhe kanë marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve të Emergjencës. Vullnetarët e trajnuar të skuadrave të dizastrës janë mobilizuar për të mbështetur komunitetet më të rrezikuara dhe për të identifikuar nevojat më urgjente.
Në Durrës, bashkia më e prekur nga përmbytjet, fokusi ka qenë tek parandalimi i rrezikut për jetën. Ekipet e Kryqit të Kuq kanë punuar në terren për ndërgjegjësimin e banorëve mbi rëndësinë e evakuimit nga zonat e rrezikut, në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë dhe institucionet vendore. Për familjet e evakuara në ambientet e Kavalishencës janë shpërndarë rroba për fëmijë, ndërsa për familje të tjera të prekura dhe në vështirësi ekonomike po ofrohet ndihmë në ushqime dhe batanije, bazuar në vlerësimin e nevojave konkrete.
Programi i Katastrofave i Kryqit të Kuq Shqiptar bazohet në reagim të shpejtë, koordinim institucional dhe mbështetje humane. Misioni është i qartë: të jesh pranë njerëzve në momentet më të vështira, pa dallim, dhe të ndihmosh komunitetet të përballojnë pasojat e emergjencave natyrore.
Kryqi i Kuq Shqiptar apelon për kujdes dhe përgjegjësi, duke rikujtuar disa këshilla praktike:
- Ndiqni në çdo moment njoftimet dhe udhëzimet zyrtare të autoriteteve.
- Respektoni thirrjet për evakuim pa hezitim. Ato synojnë mbrojtjen e jetës suaj.
- Mos kaloni në rrugë apo zona të mbuluara nga uji, as në këmbë dhe as me automjet.
- Ruani dokumentet personale dhe mjetet bazë të emergjencës.
- Ndihmoni fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara gjatë evakuimit.
Emergjencat natyrore nuk parandalohen gjithmonë, por pasojat e tyre mund të reduktohen. Informimi, bashkëpunimi dhe reagimi në kohë shpëtojnë jetë.


