Kryqi i Kuq Shqiptar ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit të situatës në Tetovë të Maqedonisë pas reshjeve të fundit, ku ka pasur humbje jete dhe dëme të konsiderueshme material. Ai është njohur gjithashtu me punën që po bën Kryqi i Kuq Maqedonas për tu ndodhur pranë familjeve të prekura në këto ditë të vështira si dhe me apelin e ndihmës që kjo shoqatë ka bërë për ndihma të menjëhershme në Lëvizjen ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.
Në shenjë solidariteti me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi, dhe në mbështetje të Apelit të ndihmës së Kryqit të Kuq Maqedonas, Kryqi i Kuq Shqiptar dhuron 15 000 euro nga fondet e saj të emergjencës, si ndihmë për të lehtësuar, sado pak pasojat e situatës së krijuar.
KKSH shprehet i sigurt se populli i Tetovës do të dijë t’i bëjë ballë vështirësive me të cilat përballet në këto ditë të vështira.
Kryqi i Kuq Shqiptar