Kryqi i Kuq Shqiptar po ndjek me vëmendje situatën humanitare të krijuar nga konflikti në Ukrainë, sidomos pasojat e tij tragjike mbi popullsinë civile. Në një deklaratë publike Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer u shpreh se tani që konflikti u përshkallëzua në të gjithë Ukrainën, ai “i trembej vuajtjeve të shtuara prej luftimeve që mund të shkaktojnë një numër masiv të viktimave dhe shkatërrim të gjerë të objekteve civile si stacionet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, zhvendosje masive të njerëzve, trauma, ndarje familjare dhe persona të zhdukur…”
Si pjesë e Lëvizjes më të madhe humanitare në botë, edhe Kryqi i Kuq Shqiptar solidarizohet me punën vetëmohuese të kolegëve tanë të Kryqit të Kuq të Ukrainës dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC). Në këtë kuadër Kryqi i Kuq Shqiptar fillon një fushatë për mbledhje fondesh në mbështetje të Kryqit të Kuq Ukrainas për t’i ardhur në ndihme popullsisë civile të prekur nga konflikti.
Kryqi i Kuq Shqiptar ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e veta njerëzore në të 39 degët e tij në të gjithë vendin për të sensibilizuar komunitetet për të dhuruar vlera monetare me qëllim që sado pak, edhe Shqipëria të kontribuojë në lehtësimin e vuajtjeve njerëzore që vijnë prej këtij konflikti të përgjakshëm. Shumat e mbledhura nga kjo fushatë do t’i dërgohen Kryqit të Kuq të Ukrainës për t’i përdorur në përmbushjen e operacionit të tij humanitar.
Me këtë rast Kryqi Kuq Shqiptar fton median që të japë kontributin e saj për rritjen e ndërgjegjësimit për qytetarët që të tregojnë solidaritetin e tyre dhe t’i bashkohen të shumtë, kësaj iniciative të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Numrat e llogarisë janë si më poshtë:
Kryqi i Kuq Shqiptar Kryqi i Kuq Shqiptar
Raiffeisen Bank Banka Credins
Lek 0100000135 Lek 105090
Euro 8020000135 Euro 0000113576
USD 8030000135
Për më shumë informacion, kontaktoni :
me Andi Mujollari, Koordinator i Marrëdhënieve me publikun dhe/ose
Fatos Xhengo, Koordinator i Programit për raste katastrofash