- Që nga viti 2000, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) dhe Shoqatat e saj Kombëtare kanë zhvilluar aktivitete sensibilizuese për ndihmën e parë të shtunën e dytë të shtatorit të çdo viti. Kjo synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut se si ndihma e parë mund të shpëtojë jetë çdo ditë dhe veçanërisht në situata krize. Për këtë vit, eventi do të ketë të bëjë me risitë dixhitale.
- Pse digjitalizimi ka një rol të rëndësishëm në promovimin e ndihmës së parë?
Na ndihmon të arrijmë qëllimin tonë: t’i bëjmë njohuritë e ndihmës së parë të arritshme për të gjithë. Nga mësimi bazë ose intensiv deri te kurset rifreskuese në teknikat e shpëtimit të jetës, teknologjia digjitale lejon këdo me ose pa akses në internet të mësojë ndihmën e parë. Është një mënyrë e re për t’u bërë një jetëshpëtues dhe për të shkëmbyer praktikat e ndihmës së parë nga e gjithë bota: nga shtëpia, sipas mundësive tuaja, pa qenë nevoja të rregulloni orarin tuaj. Dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, ky vit do të jetë i veçantë për teknologjitë digjitale pasi Qendra Globale e Referencave për Ndihmës së Parë është gati të lançojë versionin e ri të përditësuar të Aplikacionit të Ndihmës së Parë.
- Më 9 shtator, në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë, u zhvillua Konkursi XXIV Kombëtar i Ndihmës së Parë në të cilin morë pjesë 35 ekipe të degëve të Kryqit të Kuq Shqiptar.
- Ky aktivitet u zhvillua në sheshet kryesore në qendër të Tiranës. (Sheshi Skënderbej, Pedonale, Piramida, Taivani, Lulishtja përbri Presidencës, etj.), ku u vendosën 8 stacione simulimi të aksidenteve të ndryshme që prekin familjet dhe komunitetet.
- Nëpërmjet demonstrimeve dhe simulimeve të situatave të ndryshme të aksidenteve, në rrugë, punë, shtëpi, shkollë, etj., përcillet mesazhi se çdokush është i aftë të japë ndihmën e tij, mjafton që të jetë i trajnuar mbi ndihmën e parë.
- Në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë, Kryqi i Kuq Shqiptar inkurajon të gjithë qytetarët që të mësojnë të japin Ndihmën e Parë me qëllim që të ndihmojnë në uljen e numrit të vdekjeve dhe të plagosjeve nga aksidentet qofshin ato aksidente rrugore, në punë apo në kushtet e shtëpisë.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe publikun dashamirës që ndoqën këtë aktivitet tradicional të Kryqit të Kuq Shqiptar!
Për më shumë nga kronikat e realizuara nga mediat klikoni këtu.