Fundjavën e kaluar, u mbajt finalja e Konkursit X të Rinisë, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi së bashku tre skuadrat më të mira të vullnetarëve të rinj nga degët e Kryqit të Kuq Shqiptar. Ky konkurs, qëllimi i të cilit është jo vetëm të sfidojë të rinjtë, por t’i përgatisë ata për të përçuar vlerat humanitare, përfundoi me një fitore të shkëlqyer nga skuadra e degës së Lezhës, e cila zuri vendin e parë!
Konkursi ishte një përvojë e pasur me mësime dhe vlera të çmuara për pjesëmarrësit. Gjatë përgatitjes së tyre, të rinjtë patën mundësinë të thellojnë njohuritë për historinë ndërkombëtare të Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe për rrugëtimin historik 103-vjeçar të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ata përfituan gjithashtu informacione të vyera nga të gjitha programet e shoqatës, duke përfshirë ndihmën e parë, shëndetin publik, edukimin në komunitet dhe të drejtat humanitare ndërkombëtare. Ky konkurs përbën një hap përpara në krijimin e një brezi të ri të informuar dhe të përgatitur për të përhapur mesazhet e humanizmit.
Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Ylli Alushi, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin e tyre, duke u shprehur se puna e tyre është një kontribut i çmuar për komunitetin. “Vullnetarizmi juaj është simbol i vlerave të shoqatës sonë. Ju jeni shembuj për të rinjtë dhe për shoqërinë tonë në tërësi,” u shpreh ai. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i KKSH, z. Artur Katuçi, vlerësoi entuziazmin dhe angazhimin e vullnetarëve të rinj, duke i inkurajuar të marrin një rol udhëheqës në përhapjen e vlerave humanitare tek bashkëmoshatarët e tyre.
Falenderime të veçanta për të rinjtë tanë vullnetarë, për shpirtin e garës, përkushtimin dhe kontributin e vyer që ata kanë dhënë për këtë aktivitet. Pas këtij konkursi, kemi formuar një skuadër të rinjsh jo vetëm të informuar, por të aftë për të përçuar vlerat humanitare tek të tjerët — te familjet, miqtë dhe komuniteti i tyre i gjerë. Me këtë sukses, ata janë frymëzues për një shoqëri më solidare dhe më të përgjegjshme.
💪 Bashkohuni me ne në këtë mision! Bëhu vullnetar, bëhu i dobishëm për komunitetin tënd!