9 tetor 2017
Gjenevë/Kabul (KNKK) – Pas një seri sulmesh ndaj stafit të tij, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka vendosur të zvogëlojë praninë e tij në Afganistan.
“Që nga dhjetori 2016, KNKK ka qenë tri herë në shënjestër të drejtpërdrejtë në Afganistanin verior, përfshirë këtu dhe atë që ne e konsideruam si një nga shërbimet tona më të sigurta, Qendra e rehabilitimit në Mazar-i-Sharif. Këto incidente kanë ndikuar jo vetëm KNKK -në në Afganistan, por organizatën në tërësi “, tha Monica Zanarelli, kreu i delegacionit të KNKK-së në Afganistan.
Pas diskutimeve intensive, së bashku me selinë e organizatës në Gjenevë, KNKK ka arritur në konkluzionin se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të zvogëlojë në mënyrë drastike praninë dhe veprimtarinë e tij në Afganistan, veçanërisht në Veri të vendit.
Për rrjedhojë, zyrat e KNKK-së në Maimana dhe Kunduz do të mbyllen, ndërsa Zyra e delegacionit të saj në Mazar-i-Sharif do të zvogëlohet seriozisht. Qendra e rehabilitimit në Mazar-i-Sharif do të mbetet e hapur, ndërsa KNKK-ja do të vlerësonte aftësinë e partnerëve – qofshin organizata të tjera ose autoritete afgane – që mund të marrin përsipër drejtimin e qendrës. Gjithashtu, në pjesën tjetër të vendit, po vlerësohen veprimtaritë e organizatës. Ndërkohë, KNKK-ja po punon për një plan social për stafin që do të preket nga reduktimi i veprimtarive.
“Ky është një moment i vështirë për KNKK-në dhe stafin e tij”, tha zonja Zanarelli. “Pas 30 vjet prezencë të vazhdueshme në vend, ne po reduktojmë praninë dhe operacionet tona. Por le të jemi të qartë, Ne nuk po largohemi nga Afganistani. Ekspozimi i stafit tonë ndaj rreziqeve gjatë gjithë kohës që janë duke ndihmuar njerëzit e prekur nga konflikti mënyrën më të mirë që mundemi , është një nga prioritetet e punës tonë”.
Në dhjetor 2016, një anëtar i stafit të KNKK-së u rrëmbye në provincën Kunduz dhe u lirua katër javë më vonë. Ky incident u pasua nga vrasja brutale e gjashtë anëtarëve të personelit dhe rrëmbimi i dy të tjerëve në provincën e Jawzjanit. Pas një eksperiencë shtatë-mujore të gjatë, të dy personat e rrëmbyer u liruan më 5 shtator. Vetëm gjashtë ditë pas kësaj, një fizioterapeut u qëllua dhe u vra nga një pacient që kurohej prej kohësh, brenda qendrës së rehabilitimit në Mazar-i-Sharif.