Presidentja e Federatës Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, znj. Kate Forbes, zhvilloi një vizitë zyrtare tre-ditore në Shqipëri, e shoqëruar nga znj. Maria Kristensen, Drejtuese e Delegacionit të IFRC për Evropën Qendrore dhe Juglindore. Vizita u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe ndoqi një axhendë me fokus punën e vullnetarëve në terren.
Ndalesa e parë ishte në selinë qendrore të Kryqit të Kuq Shqiptar, ku Presidentja Forbes u prit nga Presidenti z. Ylli Alushi, Sekretari i Përgjithshëm z. Artur Katuçi dhe Zëvendëssekretarja e Përgjithshme znj. Elvetina Stillo. Gjatë kësaj vizite, ajo u njoh me aktivitetin e përgjithshëm të organizatës, programet kryesore dhe sfidat aktuale në shërbim të komuniteteve në nevojë.
Vizita vijoi në degën e Kryqit të Kuq Shqiptar në Tiranë, ku Presidentja Forbes u takua me Kryetarin e degës z. Gjon Boriçi, si dhe me stafin, vullnetarët dhe përfituesit. Një fokus i veçantë iu kushtua Qendrës Sociale për të moshuarit, ku ajo pa nga afër shërbimet që ofrohen dhe bisedoi me përfituesit mbi mbështetjen që marrin çdo ditë.
Në vijim, delegacioni u ndal në degën e Kryqit të Kuq Shqiptar në Durrës, ku Presidentja Forbes zhvilloi një takim me vullnetarët. Diskutimet u përqendruan te roli i tyre në komunitet, sfidat që hasin në terren dhe rëndësia e angazhimit të tyre në përgjigje të emergjencave dhe nevojave sociale.
Në kuadër të vizitës, Presidentja e IFRC, znj. Kate Forbes, e shoqëruar nga znj. Maria Kristensen, zhvilloi një takim zyrtar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj. Në këtë takim, ku morën pjesë edhe Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar z. Ylli Alushi dhe Sekretari i Përgjithshëm z. Artur Katuçi, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në funksion të mbështetjes së shtresave më në nevojë. Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e IFRC dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kryqin e Kuq Shqiptar.
Një moment simbolik gjatë vizitës ishte ndalesa pranë bustit të Henry Dunant, në shenjë nderimi për themeluesin e Lëvizjes dhe për vlerat që ajo përfaqëson.
Vizita u përmbyll në degën e Kryqit të Kuq Shqiptar në Berat, ku Presidentja Forbes mori pjesë në Konkursin Rajonal të Ndihmës së Parë. Ajo ndoqi nga afër zhvillimin e garës dhe vlerësoi përkushtimin, aftësitë dhe përgatitjen e vullnetarëve të rinj, duke theksuar rëndësinë e ndihmës së parë dhe të investimit në kapacitete për reagim në emergjenca.
- Vizita tre-ditore konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të IFRC për Kryqin e Kuq Shqiptar dhe vuri theksin te forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në shërbim të njerëzve në nevojë.













