Janar – starton dhurimi vullnetar i gjakut në institucione dhe më gjerë

 

Fillimi i vitit të ri shënon dhe nisjen e veprimtarive të Kryqit të Kuq Shqiptar, në përputhje me misionin e tij humanitar. Një ndër këto veprimtari është dhurimi vullnetar i gjakut.

Gjaku si burim i çmuar i jetës, kërkohet çdo ditë dhe nuk mjafton kurrë. Është kjo arsyeja  që vullnetarët dhe stafi i Kryqit të Kuq në seli dhe në degë, nisën me përkushtim fushatën për sensibilizimin e grupeve shenjë në institucione shtetërore dhe private, pavarësisht nga moti i acartë i këtij fillim viti dhe temperaturat mjaft të ulëta, shoqëruar nga epidemia e gripit. 250 dhurime vullnetare vetëm për muajin janar, është një shifër mjaft premtuese për muajt në vazhdim.

Janë stafi i KESH, studentët e Universitetit Evropian të Tiranës, stafi i Klinikës KEIT, Shkollat e Mesme të qytetit të Lezhës, studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Shkodër, etj. ndër të parat nën mesazhin e fushatës “Nga Unë te Ti, një dhuratë për jetën!” organizuan dhe seancat e para të dhurimit të gjakut për këtë vit. E veçanta e këtij muaji është se gjithnjë e më të shumtë janë dhuruesit nga komuniteti që i janë drejtuar Bankave të Gjakut në Durrës, Gjirokastër, Korçë,Vlorë dhe Elbasan.

Një falënderim i veçantë shkon për Klinikën KEIT që e ka kthyer dhurimin vullnetar të gjakut në një traditë, duke e shtirë iniciativën e ndërmarrë me Kryqin e Kuq Shqiptar “Edhe unë dua të jetoj. Dhuro Gjak për fëmijët me Talasemi”, te shokët e miqtë e klinikës, te pacientët e më gjerë. Vetëm në seancën e fundit të organizuar në këtë klinikë, dhuruan gjak rreth 50 vullnetar.

Kryqi i Kuq Shqiptar, fton institucionet shtetërore e private, kudo që janë të japin mbështetjen e tyre në këtë iniciativë, duke inkurajuar punonjësit dhe anëtarët e tyre të dhurojnë gjak rregullisht.

Kryqi i Kuq Shqiptar përcjell një Falënderim dhe Mirënjohje të veçantë për të gjithë institucionet që bashkëpunuan me Kryqin e Kuq Shqiptar në dhurim vullnetar të gjakut në këtë periudhë dhe për të gjithë vullnetar e KKSH që i japin jetë kësaj veprimtarie.

Kryqi i Kuq Shqiptar

 

 

Ndajeni me miqte tuaj: