- Dhuruan gjak 432 persona ose 33% me shumë se në muajin Shkurt të vitit 2015 –
Klinika Keit dhe Dr. Skerdi Faria, një mjek mjaft i përkushtuar është kthyer në një shembull mjaft pozitivë në këtë fillim viti në dhurimin vullnetar të gjakut. Një individë, një institucion shpesh bëhen promotorë të zhvillimit të një ideje, apo një iniciative. Kur kjo zbatohet në fushën humanitare, vlerat e saj shumëfishohen, sepse mbartin jo vetëm vlerat e një akti që ndihmon, por dhe vlerat edukative të një shoqërie të civilizuar.
Veprimtarie e Klinikës KEIT dhe e Dr. Skerdit vjen në një bashkëpunim të ngushtë me Kryqin e Kuq Shqiptar në një fushë ku shoqata, falë kontributi të dhënë në vite dhe që shtohet ditat ditës, me të drejtë është konsideruar partnerë kryesorë në Strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë për një gjak të mjaftueshëm e të sigurt. Objektivat e kësaj strategjie janë dhe objektivat e KKSH.
Vetëm katër ditë në muajin më të shkurtër të kalendarit, 8-9 dhe 26-27 shkurt, por të paraprira nga një punë e madhe promocionale, individuale, institucionale, përdorimit të medias sociale, janë ofruar për të dhuruar gjak 350 vullnetar. Mesazhi i përzgjedhur nga organizatorët e kësaj iniciative “Edhe unë dua të jetoj! Dhuro gjak për fëmijët me talasemi” ka sensibilizuar ndërmjet tyre dhe persona publik si këngëtarja Soni Malaj, apo Entela Binjaku, Anduel Xhindi e të tjerë. Fushatës nuk kishte si të mos i bashkëngjitej dhe stafi i KKSH, duke dhuruar gjak. Sekretari i Përgjithshëm i KKSH, z. Artur Katuci mbasi dhuroi gjak, shprehu falënderimin për drejtuesit e Klinikës KEIT, “…për fushatën humanitare që ato iniciuan në dobi të nevojtarëve dhe veçanërisht të pacientëve me talasemi. Nisma të tilla humanitare të ndërmarra nga të cdo institucion, do të mirëpriten nga Kryqi i Kuq dhe do të gjejnë mbështetjen maksimale të tij.”
Iniciativës për të dhuruar gjak vullnetarisht për njerëzit në nevojë i janë bashkangjitur dhe Komisariatet e Policisë nr. 1, 2 dhe 3, Shkolla profesionale pranë Fondacionit “Qatar Center”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Në qytetin muze të Beratit, Dega e KK ka organizuar dhurim gjaku në dy institucione, në Institutin e paraburgimit dhe në sipërmarrjen private “Ital Style”. Janë ofruar për dhurim gjaku mbi 50 persona dhe dhuruan 38 vullnetar. Një shembull shumë të mirë në dhurimin vullnetar të gjakut kanë treguar dhe institucione të ndryshme në Lezhë. Gjatë këtij muaji kanë dhuruar gjak mbi 60 persona në Shkollën “Hydajet Lezha” dhe në biznesin “Tre Luanët”. Ndërkohë që kanë vazhduar dhurimet në Degën e KK Fier, Shkodër, Vlorë dhe në Korçë.
Nëpërmjet shembullit pozitiv të këtyre institucioneve KKSH, fton të gjitha institucionet, kompanitë, organizatat kudo që ndodhen, për të nxitur stafin e tyre për të dhuruar gjak rregullisht.
KKSH përcjell një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë dhuruesit vullnetar të gjakut e në veçanti për ato që dhurojnë rregullisht.
Kryqi i Kuq Shqiptar