“Reflektim mbi vitin 2024 dhe urim i ngrohtë për vitin 2025″
Teksa mbyllim vitin 2024, ndjejmë krenari dhe përulësi për gjithë çfarë kemi arritur së bashku. Ky vit ka qenë një udhëtim i mbushur me sfida, por edhe me arritje të prekshme që kanë ndikuar ndjeshëm në jetët e mijëra familjeve në nevojë.
Gjatë 2024-s, kemi shtrirë dorën tonë të ndihmës drejt familjeve që janë përballur me kushte të vështira jetese. Me mbështetjen e partnerëve dhe donatorëve tanë bujarë, kemi arritur të ndihmojmë me ushqime, veshmbathje dhe shërbime thelbësore me mijëra familje në mbarë vendin. Këto ndihma nuk janë thjesht produkte materiale, por edhe një mesazh shprese dhe solidariteti për ata që përballen me sfidat e jetës së përditshme. Ne u shërbejmë me dashuri të moshuarve të vetmuar në qendrat tona sociale, duke u kujdesur veçanërisht për shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Ky angazhim përfaqëson një nga vlerat tona kryesore, duke treguar respekt dhe përkujdesje për ata që kanë dhënë kaq shumë për shoqërinë tonë.
Një nga prioritetet tona mbetet rekrutimi i dhuruesve të rinj të gjakut. Gjatë këtij viti, kemi organizuar dhjetëra fushata sensibilizuese dhe kemi shtuar radhët e dhuruesve të përkushtuar, duke krijuar një bazë të fortë për një furnizim të qëndrueshëm me gjak. Kontributi i secilit prej tyre është një shembull i shkëlqyer i humanizmit dhe përgjegjshmërisë qytetare.
Gjatë vitit 2024, kemi trajnuar mijëra shoferë dhe punonjës të kompanive private në Shqipëri për aftësitë bazë të ndihmës së parë në raste aksidentesh. Ky angazhim ka ndihmuar në rritjen e sigurisë në komunitet dhe në aftësinë për të përballuar situata emergjente. Shoqata jonë ka punuar për edukimin dhe fuqizimin e komuniteteve që preken më shpesh nga katastrofat si përmbytjet. Përmes trajnimeve dhe fushatave informuese, kemi ndihmuar në përgatitjen dhe reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.
Kemi përhapur vlerat humanitare tek fëmijët përmes ekspozitave të pikturave dhe seancave informuese mbi Kryqin e Kuq dhe Parimet tona Themelore. Këto aktivitete janë një investim i vyer për të ardhmen, duke edukuar brezat e rinj në frymën e solidaritetit dhe humanizmit.
Të rinjtë vullnetarë janë zemra dhe motorri i Kryqit të Kuq Shqiptar. Energjia, pasioni dhe përkushtimi i tyre na frymëzojnë çdo ditë. Ata janë në terren, duke ndihmuar në shpërndarjen e ndihmave, organizimin e aktiviteteve komunitare dhe përhapjen e mesazheve të mirësisë dhe solidaritetit. Veprat e tyre gjatë vitit 2024 kanë prekur zemrat e mijëra shqiptarëve.
Teksa shkojmë drejt 2025, duam të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për çdo partner, donator, vullnetar dhe përfitues që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Së bashku kemi treguar që solidariteti dhe ndihma reciproke mund të ndryshojnë botën.
Urojmë që viti i ri të sjellë paqe, shpresë dhe begati për të gjithë. Me bashkimin e përpjekjeve tona, do të vazhdojmë të ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.
- Gëzuar vitin e ri 2025!