Në kuadër të projektit “Rritja e Aftësive Ripërtëritëse për Përmbytjet” që po zbatohet në 6 komunitete një ndër të cilët është edhe komuniteti i Darëzezës në bashkinë Fier, jemi në fazën e zbatimit të “mini projekteve” në këto komunitete. Prej vitesh KKSH ka punuar me komunitetin e prekur nga përmbytjet e vazhdueshme në fshatin Darëzezë të Bashkisë Fier, për të rritur aftësinë e tyre ripërtëritëse pas katastrofës. Një nga nevojat e tyre më të mëdha ishte ndërtimi i kësaj ure metalike e cila bën të mundur kalimin e banorëve nga zona urbane në atë agro-bujqësore.
Dje Presidenti i shoqatës, Z. Ylli Alushi dhe Kryetari i Bashkisë Fier, Z. Armando Subashi, inaguruan urën metalike në Darëzezë. Kjo urë i krijon komunitetit aksesin e nevojshëm të lëvizjes pa pengesa në kohë normale apo në raste përmbytjesh nga zona agrobujqësore në zonën rezidenciale.
Një prej fermerëve të këtij komuniteti u shpreh: “Kjo urë është e vetmja mënyrë për të kaluar lumin të sigurt dhe për të siguruar jetesën tonë të përditshme. Faleminderit Kryqit të Kuq Shqiptar dhe të gjithë partnerëve që e mundësuan ndërtimin e saj!”
Kjo ndërhyrje vjen si rezultat i punës përgatitore dhe takimeve të bëra me komunitetin dhe strukturat vendore.
Për më shumë detaje nga ceremonia, ndiqni pamjet e filmuara këtu.