Komunikatë Shtypi Nr. 4
Datë 12.12.2017
Në vazhdim të operacionit të ndihmës të Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH) në ndihmë të familjeve të prekura nga përmbytjet, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) miraton Apelin e Ndihmës të KKSH për t’i ardhur në ndihmë 2000 familjeve të prekura nga përmbytjet. Ndihma e akorduar në shumën e 223 000 frangave zvicerane ka si qëllim të ndihmojë 2000 familje (rreth 8000 persona) në nevojë në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet. Ndihma për një familje përbëhet nga një paketë mujore ushqime dhe materiale të tjera jo ushqimore*. Së bashku me ndihma e ardhura nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke për 1000 familje, KKSH do të do të ndihmojë 3000 familje.
Pasi mbështetjes së dhënë në momentet e para të përmbytjes për rreth 150 persona të evakuuar me ushqime të gatshme në Berat, Durrës, Tiranë dhe Fier, Kryqi i Kuq Shqiptar ka nisur që nga fillimi i muajit dhjetor operacionin e shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe jo ushqimore për familjet më të prekura nga përmbytjet, duke shfrytëzuar stokun e shoqatës për raste katastrofash.
Kështu, në bashkëpunim me pushtetin vendor, janë ndihmuar deri tani 1010 familje, me ndihma ushqimore dhe jo ushqimore. Më konkretisht janë ndihmuar në Fushë Krujë 260 familje; në Shijak 40 familje, në Tiranë (Kamëz, Vorë, Bashkia 11 dhe 6) 190 familje, në Vlorë (qytet) 14 familje dhe 56 familje në fshatin Fitore, në Fier (Cerven, Ferras, Poro), 230 familje.
Në shenjë solidarizimi me të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore, shumë shoqata simotra kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Kryqin e Kuq Shqiptar në operacionin e ndërmarrë në ndihmë të familjeve në nevojë.
Kryqi i Kuq Shqiptar
*Racion një mujor i ndihmës së KKSH për një familje përmban: 20 kg miell, 4 kg vaj, kg fasule, 4 kg oriz, 4 kg sheqer, ½ kg kripë, 4 batanije, një paketë higjienike familjare një mujore.