Emigrantët nuk duhet të përdoren si një instrument politik. Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij duhet të veprojnë në solidaritet.

Komunikatë shtypi e Federatës Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Gjenevë / Budapest, 3 Mars 2020 – Gratë, fëmijët dhe burrat e mbërthyer nga kriza e vazhdueshme humanitare në kufirin tokësor midis Greqisë dhe Turqisë, në ishujt Grekë dhe në Detin Egje nuk duhet të “përdoren si një mjet politik”, njofton sot Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (Federata ndërkombëtare).

Duke folur për situatën e përkeqësuar humanitare, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare Francesco Rocca tha: “Është e papranueshme që fëmijët dhe familjet të tëra të jenë të ekspozuar ndaj gazit lotsjellës dhe dhunës apo të rrezikojnë jetën e tyre në Detin Egje. Ne nuk do të heshtim përballë kësaj situate të rëndë humanitare, e cila mund të përkeqësohet në orët dhe ditët e ardhshme.”

Federata ndërkombëtare është thellësisht e brengosur për faktin që mijëra njerëz, përfshirë këtu dhe fëmijë mund të vuajnë pasojat e rritjes së fundit të numrit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin midis Turqisë dhe Greqisë. Ndërsa qeveritë kanë të drejtë dhe përgjegjësi të vendosin politikat e emigracionit dhe të kontrollojnë kufijtë e tyre, duhet të ndërmerren hapa konkretë për të siguruar që zbatimi i politikave të tilla nuk shtojnë vuajtjet e tyre.

“Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian duhet të përgjigjen me një frymë solidariteti ndaj rritjes së fundit të numrit të njerëzve që kërkojnë strehim në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Ata duhet marrin masa konkrete në zbatim të përgjegjësive të tyre në mbrojtjen e njerëzve dhe shpëtimin e jetës. Qeveritë e Bashkimit Evropian nuk mund t’i kthejnë shpinën Turqisë dhe Greqisë. Shtetet e Evropës Jugore nuk mund të lihen vetëm. Të gjitha shtetet kanë përgjegjësi për të mbrojtur njerëzit dhe për të shpëtuar jetë,” tha Presidenti Rocca.

“Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe Qeverive Kombëtare të shmangin përdorimin e emigrantëve si një instrument politik, për të siguruar që azilkërkuesit mund të kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. Ofrimi i ndihmës humanitare dhe shërbimeve thelbësore, përfshirë këtu kujdesin shëndetësor, duhet të garantohet për të gjithë njerëzit, në veçanti për fëmijët dhe grupet e tjera të nevojë,” përfundoi ai.

Ndajeni me miqte tuaj: