Emigrantët në mbarë botën duhet të kenë qasjen e nevojshme në asistencë dhe mbrojtje për shpëtimin e jetës

Komunikatë Shtypi

Gjenevë, 17 dhjetor 2021 – Në këtë vit që do të mbahet mend për vështirësi gjithnjë e më mëdha për shkak të Covid-19 dhe fatkeqësive të lidhura me klimën, situata humanitare e migrantëve në mbarë botën është përkeqësuar, njoftoi Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) më 18 Dhjetor në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve,.
Francesco Rocca, President i FNKK&GjK, tha për këtë:
“Viti 2021 ka qenë një tjetër vit i tmerrshëm për migrantët në mbarë botën. Shumë migrantë vazhdojnë të përballen me vështirësi të rëndësishme humanitare me pasoja shkatërruese, shumë prej të cilëve duke ndërmarrë udhëtime të rrezikëshme për jetën, të tjerë me mungesa të shërbimeve bazë dhe të mbrojtjes së domosdoshme për jetën, dhe akoma shumë të tjerë të përballen me armiqësi dhe përjashtime në vendet e tranzitit dhe ato të destinacionin të kërkuar. Qeveritë kanë për detyrë të mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe të shpëtojnë jetë, dhe humanizmi duhet të jetë në qendër të çdo vendimi të marrë. Mos e kemi harruar vallë këtë?”
Deri sot, numri i emigrantëve ka arritur nivele rekord duke shkuar në 281 milionë në të gjithë botën. Ndërsa shumë emigrantë janë në gjendje të kërkojnë një jetë më të mirë në një mënyrë të sigurtë, mijëra të tjerë vazhdojnë të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme, kërcënuese për jetën duke pasur me vete vetëm rrobat e trupit. Vetëm në vitin 2021, raportohet se më shumë se 1,600 njerëz se kanë vdekur ose janë zhdukur në rrugën e emigrimit në Mesdheun Qendror dhe më shumë se 1,000 në Amerikë, ndërkohë që shifrat faktike mendohet të jenë shumë më të larta.
Fatkeqësitë e lidhura me klimën kanë detyruar tashmë miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe numri pritet të vazhdojë të rritet në vitet në vijim. Ndikimet socio-ekonomike të pandemisë COVID-19 në dy vitet e fundit, kanë goditur veçanërisht migrantët për shkak të dobësive para-ekzistuese, jetesës së pasigurtë, mungesës së mbështetjes shtetërore si dhe kufizimeve në lëvizje. Emigrantët janë prekur në mënyrë disproporcionale për sa i përket kujdesit shëndetësor dhe mungesës së qasjes në vaksina.
“Kudo në botë, migrantët përballen me rreziqe të mëdha për jetën, sigurinë, dinjitetin, të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e tyre. Qeveritë duhet t’u ofrojnë njerëzve në lëvizje qasjen e nevojshme në ushqim, strehim, kujdes bazë shëndetësor dhe këshilla ligjore për të drejtat e tyre, pavarësisht nga statusi i migracionit. Në të njëjtën kohë, organizatave humanitare duhet t’u jepet qasje e pakushtëzuar për të ofruar ndihmë humanitare për të gjithë njerëzit në nevojë”, shtoi Presidenti Rocca.
Rrjeti i FNKK&GjK ka një prani globale përgjatë rrugëve migratore, përfshirë këtu dhe në rrugët më vdekjeprurëse detare në botë në Mesdheun Qendror, duke ofruar mbështetje humanitare për migrantët gjatë udhëtimeve të tyre – në vendet e origjinës, në vendet tranzit apo dhe ato të destinacionit. Në të paktën 110 vende dhe në mënyrë të koordinuar përtej kufijve, Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ofrojnë ndihmë dhe mbrojtje për shpëtimin e jetës për migrantët, pavarësisht nga statusi i tyre ligjor, bazuar në nevojat dhe dobësitë e tyre.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Migrantëve dhe çdo ditë, ne do të vazhdojmë të dëgjojmë zërat e emigrantëve në nevojë që përballen me situata të vështira. Asnjë qenie njerëzore nuk është e paligjshme dhe ne nuk do të heshtim ndërsa keqtrajtimi i tyre vazhdon. Është koha që të gjitha qeveritë të tregojnë më në fund pak humanizëm”, përfundoi Presidenti Rocca.
Për më shumë informacion:
Në Gjenevë: Tommaso Della Longa, +41 79 708 4367, tommaso.dellalonga@ifrc.org Ann Vaessen, +41 79 405 77 50, ann.vaessen@ifrc.org

Ndajeni me miqte tuaj: