Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Korça dhe Gjirokastra u bënë qendra të mesazheve të solidaritetit, bashkëpunimit dhe mbështetjes për refugjatët dhe personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.
Në të dy qytetet, Kryqi i Kuq Shqiptar, në bashkëpunim me UNHCR Albania dhe partnerët lokalë, organizoi aktivitete sensibilizuese që sollën në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes, përfshirjes dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.
Në Gjirokastër, përfaqësues të institucioneve vendore, komuniteteve fetare, refugjatë, azilkërkues dhe partnerë u mblodhën në qendrën historike të qytetit në një aktivitet të përbashkët ndërgjegjësimi. Përmes një stende informuese dhe një ecjeje simbolike në zonat më të frekuentuara të qytetit, u krijua një hapësirë dialogu ku çështjet e azilit dhe mbrojtjes iu afruan publikut. Mesazhi i përbashkët ishte i qartë: mbrojtja ndërtohet kur institucionet, komunitetet dhe besimet ecin së bashku.
Në Korçë, aktivitetet u zhvilluan në Parkun “Rinia”, ku mesazhe solidariteti u shkruan dhe u ndanë nga pjesëmarrësit gjatë një ecjeje simbolike. Në aktivitet morën pjesë studentë dhe pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli”, përfaqësues të bashkive Korçë dhe Devoll, Këshillit të Qarkut, shërbimeve sociale, shoqërisë civile dhe institucioneve të të drejtave të njeriut, përfshirë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Të gjithë së bashku përcollën një mesazh të qartë: solidariteti nuk është një moment, por një përgjegjësi e përbashkët.
Si partner implementues i UNHCR në Shqipëri, Kryqi i Kuq Shqiptar mbështet çdo ditë këtë kauzë përmes punës në terren në pikat kufitare dhe zonat e pritjes, duke ofruar informacion, mbrojtje, referim dhe ndihmë për personat që kërkojnë azil. Ekipet tona punojnë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar akses në procedura, respektim të të drejtave dhe mbështetje humanitare për çdo individ në nevojë.
Aktivitetet në Korçë dhe Gjirokastër tregojnë se solidariteti merr formë reale kur institucionet, universitetet, komunitetet dhe organizatat humanitare bashkojnë forcat për një qëllim të përbashkët: mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe shpresës për çdo person që është detyruar të largohet nga vendi i tij.




