Komunikatë shtypi e Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe
Gjenevë, 8 maj 2021 – “Sot, ne kremtojmë Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Kjo ditë i kushtohet stafit dhe vullnetarëve të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe që janë pranë dhe mbështesin njerëzit e prekur nga COVID-19 dhe kriza të tjera humanitare – një angazhim në ndihmë të komuniteteve vendore që është “i pandalshëm”, thanë sot drejtuesit më të lartë të tij.
Lëvizja ndërkombëtare përbëhet nga 192 Shoqata Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe me 160,000 degë lokale dhe rreth 14 milion vullnetarë në të gjithë botën, KNKK dhe FNKK&GjK.
Vlerësohet se një në çdo 636 njerëz në botë është vullnetar i Kryqit të Kuq ose Gjysmëhënës së Kuqe.
Së bashku, Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe kanë pasur qasjen e nevojshme për 650 milion njerëz me veprimtaritë promovuese në fushën e shëndetit dhe higjienës (një në çdo 12 persona në botë), për 106 milion njerëz në furnizimin me ujë dhe fushën sanitare (1 në 72 persona), në dhënien e ndihmave ushqimore apo në natyrë për rreth 79 milion njerëz (një në çdo 97 persona), dhe më shumë se një milion njerëz në krijimin e lidhjeve familjare nëpërmjet telefonit apo thirrjeve video, mesazheve të shkruara apo verbale.
Z. Francesco Rocca, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) tha: “Sot në botë ka shumë sfida serioze globale për të përballur, të tilla si COVID-19, kriza klimaterike dhe mbështetja për njerëzit në lëvizje. Por sot kemi rreth 14 milion arsye për të festuar: ata janë vullnetarët tanë të pandalshëm. Çdo akt individual i mirësisë dhe mbështetjes ka rëndësi – pavarësisht se sa i vogël mund të duket. Ky veprim kolektiv lokal ka një ndikim masiv global çdo ditë. ”
Z. Peter Maurer, Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), tha: “Personeli dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe janë në vijën e parë të frontit të çdo krize, nganjëherë në rrezik për sigurinë e tyre. Ata punojnë pa pushim, me dhe për komunitetet për të parandaluar dhe lehtësuar vuajtjet njerëzore në situatat më të rënda, në konflikte të armatosura, katastrofa dhe kriza të tjera humanitare.
“Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe është mundësia jonë për t’i nderuar ata, ata po sjellin ndryshim çdo ditë, në të gjithë botën çdo ditë dhe sigurojnë që askush të mos mbetet pas.
